Janë zyrtarizuar kandidaturat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, në kuadër të procesit të nisur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), pasi në muajin dhjetor përfundon mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.
Në garë për drejtimin e organit të akuzës janë pesë kandidatë: Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust në mandatin e saj të dytë, ish-Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku, Ylli Pjetërnika, prokurorja e Tiranës Rovena Bozo dhe prokurori i SPAK-ut Adnan Xholi.

Fillimisht dokumentet për kandidim i dorëzoi edhe Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, por ai u tërhoq nga gara në momentet e fundit.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundoi më 1 gusht, ndërsa KLP pritet të vijojë me procedurat për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve, përpara përzgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm.



