Konfindustria i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë menjëherë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, duke e cilësuar shtrenjtimin e ditëve të fundit si të pajustifikuar.
Në një deklaratë publike, organizata e biznesit propozon një paketë me katër masa konkrete, mes të cilave uljen me të paktën 15% të barrës fiskale mbi karburantet, rikthimin e Bordit të Transparencës, kontrolle të menjëhershme për cilësinë e naftës në treg dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës.
Sipas Konfindustrisë, ulja e taksave do të sillte një reduktim të çmimit me pakicë me rreth 20 lekë për litër, ndërsa i referohet rasteve të Italisë dhe Gjermanisë, ku sipas saj janë ndërmarrë masa të ngjashme për të lehtësuar kostot e karburanteve.
Një tjetër kërkesë është rikthimi i Bordit të Transparencës, me argumentin se ulja e mundshme e taksave duhet të reflektohet te qytetarët dhe bizneset dhe jo të përfundojë te operatorët e tregut. Konfindustria e cilëson tregun e karburanteve në Shqipëri si të përqendruar dhe me konkurrencë të kufizuar.
Organizata kërkon gjithashtu kontrolle të menjëhershme për cilësinë e karburanteve që qarkullojnë në treg, duke ngritur shqetësime për përdorimin e sasive të karburanteve jashtë standardeve, të cilat sipas saj dëmtojnë shëndetin, mjedisin, automjetet dhe buxhetin e shtetit.
Në kërkesën e saj, Konfindustria i bën thirrje institucioneve shtetërore dhe SPAK-ut të intensifikojnë luftën kundër kontrabandës së karburanteve, duke pretenduar se fenomeni i shkakton dëme të mëdha financiare buxhetit të shtetit.
Sipas Konfindustrisë, çmimet e naftës në Shqipëri prej kohësh janë në nivelet 2.15–2.2 euro për litër, duke qenë më të larta se në shumë vende të rajonit dhe në disa vende të Bashkimit Europian. Organizata paralajmëron se kjo situatë rrit kostot për bizneset, prodhimin vendas dhe qytetarët.



