Monedha europiane ka nisur muajin gusht me një tjetër rënie rekord në tregun vendas të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me një mesatare prej 93.3 lekësh, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Dobësimi i euros është thelluar me afrimin e kulmit të sezonit turistik, periudhë kur në ekonominë shqiptare hyjnë sasi të mëdha valute nga turistët, emigrantët dhe aktivitetet sezonale.
Në tregun e këmbimit valutor, këtë të hënë euro blihet nga qytetarët me rreth 93 lekë dhe shitet me 93.6 lekë.
Krahasuar me gushtin e një viti më parë, monedha europiane ka humbur rreth 4.2% të vlerës së saj ndaj lekut, duke vijuar tendencën e zhvlerësimit të saj.
Përballë kësaj situate, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg përmes blerjes së valutës me qëllim frenimin e një dobësimi të mëtejshëm të euros. Këto ndërhyrje kanë ndikuar në rritjen e rezervës valutore të vendit, e cila në fund të muajit qershor arriti nivelin rekord prej 7.8 miliardë eurosh.



