Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale mbi debatin për anëtarësinë politike dhe fenomenin e patronazhistëve, duke bërë një ndarje mes anëtarëve të partive dhe rrjeteve të patronazhimit.
Malaj shprehet se, sipas tij, kryeministri Edi Rama, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe drejtues të tjerë politikë “nxisin me vetëdije një armiqësi shoqërore”, duke barazuar statusin politik dhe moral të anëtarëve të partive me atë të patronazhistëve.
Sipas tij, anëtarët e partive politike meritojnë mirënjohje, pasi janë “shtylla kurrizore morale e partive politike”, ndërsa patronazhistët janë pjesë e një sistemi që ai e cilëson si burim nepotizmi, korrupsioni dhe pasurimi të paligjshëm.
Në reagimin e tij, Malaj shkruan:
“Rama, Balla & Co. nxisin me vetëdije një armiqësi shoqërore, duke barazuar statusin politik dhe moral të anëtarëve të partisë, të cilët meritojnë mirënjohje nga të gjithë politikanët sepse janë shtylla kurrizore morale e partive politike, me patronazhistët, që janë vatra nepotizmi, korrupsioni dhe pasurimi deri kriminal.
Patronazhistët duhet ndaluar në mënyrë demokratike që të mos mbijnë si kërpudhat pas shiut menjëherë pas zgjedhjeve.”
Malaj më pas sjell një shpjegim mbi dallimin mes anëtarit të partisë dhe patronazhistit, duke iu referuar koncepteve të shkencës politike.
Sipas tij, anëtari i një partie politike është një individ që regjistrohet në mënyrë formale në organizatën politike, pranon programin, ideologjinë dhe rregullat e saj, ndërsa gëzon të drejta si pjesëmarrja në zgjedhjen e strukturave dhe kandidimi në forumet drejtuese.
Ai argumenton se anëtarësia politike bazohet në lirinë e organizimit dhe pjesëmarrjes politike.
Në ndryshim, sipas Malajt, patronazhisti është një operator terreni që vepron brenda një sistemi patronazhimi, ku fokusi nuk është debati politik apo ideologjia, por monitorimi i votuesve, mbledhja e të dhënave dhe ndikimi mbi preferencat elektorale.
Në postimin e tij, ish-ministri rendit edhe pesë dallime kryesore mes anëtarëve të partive dhe patronazhistëve.
Së pari, ai ndalet te marrëdhënia me statutin dhe ligjin. Sipas tij, anëtari ka një status juridik të përcaktuar nga statuti i partisë dhe ligji për partitë politike, ndërsa patronazhisti operon shpesh përmes rrjeteve informale ose gjysmëinformale.
Së dyti, Malaj thekson dallimin te objektivi i angazhimit. Sipas tij, anëtari merr pjesë në jetën e brendshme të partisë, në diskutime dhe ndërtimin e politikave, ndërsa patronazhisti fokusohet te qytetarët jashtë strukturave partiake për të identifikuar bindjet dhe preferencat e tyre politike.
Së treti, ai ndan motivimin politik nga klientelizmi. Sipas tij, anëtari lidhet me bindje dhe vizion politik, ndërsa patronazhizmi bazohet në shkëmbime pragmatike përmes favoreve, aksesit në shërbime publike apo ndikimit mbi vendet e punës.
Së katërti, Malaj ngre çështjen e përdorimit të të dhënave personale, duke argumentuar se anëtarësia bazohet në të dhëna të dhëna vullnetarisht, ndërsa patronazhistët mund të përdorin të dhëna personale dhe preferenca politike të qytetarëve.
Së pesti, ai ndalet te legjitimiteti demokratik, duke e cilësuar anëtarësinë politike si pjesë të pluralizmit, ndërsa patronazhizmin si një deformim të demokracisë kur përdoret për kontroll ose presion ndaj votuesve.
Në reagimin e tij, Malaj përmend edhe raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, duke deklaruar se këto raporte kanë ngritur shqetësime mbi përdorimin e rrjeteve të patronazhit, veçanërisht në lidhje me përdorimin e të dhënave personale, cenimin e privatësisë, klimën e presionit ndaj votuesve dhe administratës publike.
Sipas tij, keqpërdorimi i të dhënave shtetërore dhe përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale krijon pabarazi në garën politike dhe cenon standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Reagimi i Arben Malajt vjen në një kohë kur debati mbi rolin e strukturave partiake dhe patronazhistëve vijon të jetë një nga çështjet më të diskutuara në politikën shqiptare.



