Teksa protestat kundër projekteve zhvillimore në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit kanë hyrë në ditën e nëntë dhe po shoqërohen me pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar publikisht me një mesazh të fokusuar te mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit.
Reagimi vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga projektet e planifikuara në Zvërnec dhe Sazan, ndërsa protestuesit kanë ngritur një sërë kërkesash, që nisin nga anulimi i projekteve që sipas tyre cenojnë mjedisin, deri te dorëheqja e kryeministrit.
Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu edhe atë që e konsiderojnë si “paktin e maleve”, duke e cilësuar si një formë të shitjes së pasurive natyrore të vendit.
Në mesazhin e publikuar, Delegacioni i BE-së thekson rëndësinë e ruajtjes së habitateve natyrore dhe pasojat që sjell degradimi i tyre.
“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë.
Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë.
Shpendët janë thelbësorë për natyrën: shpërndajnë fara, kontrollojnë insektet dhe ndihmojnë që ekosistemet të funksionojnë në mënyrë të shëndetshme.
Por humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.
Ndërkohë, protestat pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa përplasja mes qeverisë dhe kundërshtarëve të projekteve mbetet e hapur.



