back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNafta zbret me 2 lekë, ndryshon edhe çmimi i benzinës

Nafta zbret me 2 lekë, ndryshon edhe çmimi i benzinës

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve tavan të karburanteve në tregun shqiptar, duke reduktuar me 2 lekë për litër si çmimin e naftës ashtu edhe atë të benzinës.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoilit) të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në maksimum 188 lekë për litër, nga 190 lekë për litër që ishte më parë. Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë është vendosur në 176 lekë për litër.

Edhe benzina ka pësuar ulje. Bordi ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 171 lekë për litër, nga 173 lekë për litër që ishte më parë, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është caktuar në 159 lekë për litër.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 10 qershor 2026, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të pasqyrohen ndryshimet e reja të tregut.

Bordi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar se në rast të shkeljeve do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë të jenë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Akciza do të zbatohet në nivelin 100%

Bordi ka sqaruar gjithashtu se çmimet aktuale të karburanteve mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon uljen e akcizës në 80% vetëm në rast se çmimi i naftës tejkalon 220 lekë për litër ose çmimi i benzinës kalon 200 lekë për litër.

Duke qenë se çmimi i naftës është vendosur në 188 lekë për litër dhe ai i benzinës në 171 lekë për litër, akciza do të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë, pra 100%.

Gazoili për peshkim mbetet 92 lekë për litër

Në vendim është përcaktuar gjithashtu se çmimi i gazoilit për sektorin e peshkimit rezulton 92 lekë për litër, duke përfituar nga përjashtimet ligjore për taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, sipas legjislacionit në fuqi për anijet e peshkimit.

Vendimi i ri vjen në një periudhë kur tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve vijojnë të reflektojnë luhatje të çmimeve, ndërsa autoritetet shqiptare monitorojnë ecurinë e tyre për të përcaktuar çmimet tavan në tregun vendas.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat