Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje këtë të mërkurë mbështetësve të opozitës që t’i bashkohen protestës kundër kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ajo duhet të ruajë karakterin qytetar dhe rinor, pa u identifikuar me simbolet e partive politike.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha e cilësoi kërkesën për largimin e kryeministrit si një kërkesë legjitime të qytetarëve dhe u shpreh se çdo demokrat duhet ta mbështesë protestën pa dallim.
“Ajo kërkesë e qytetarëve për largimin e tij është kërkesa më legjitime. Ndaj dhe çdo demokrat e demokrate, çdo mbështetës dhe mbështetëse e jonë duhet të mbështesë me të gjitha mënyrat atë protestë”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati insistoi se protesta nuk duhet të dominohet nga simbolet politike, por të mbetet një manifestim qytetar i udhëhequr nga të rinjtë.
“Duhet ta mbështesë kësaj here pa simbolet e partisë. Le të jenë rinia, sepse është protestë qytetare, rinore. Ndaj dhe ftesa ime është që çdo mbështetës, çdo simpatizant, çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike duhet të jetë në protestë”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se protesta pritet të jetë një nga manifestimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit.
“Protestën do ta themi më rinore, më qytetare që ka parë vendi gjer sot”, tha kreu i PD-së.
Në fjalën e tij, ai sulmoi gjithashtu kundërshtarët politikë që, sipas tij, po përpiqen të minimizojnë rëndësinë e protestës, duke i cilësuar qëndrimet e tyre si “klithma mjerane”.
Duke përdorur një krahasim me filozofin francez Denis Diderot, Berisha tha se disa prej kritikëve të protestës po përpiqen të marrin meritën e një lëvizjeje që, sipas tij, i përket qytetarëve dhe të rinjve shqiptarë.
Sipas liderit të opozitës, kërkesa për largimin e Edi Ramës është një nga kërkesat më të drejta të ngritura ndonjëherë nga qytetarët shqiptarë. Ai akuzoi kryeministrin se ka dëmtuar mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
“Edi Rama është një armik i egër, është një barbar i mjedisit në Shqipëri dhe i trashëgimisë kulturore”, deklaroi Berisha.



