Bizneset shqiptare kanë ende një rrugë të gjatë për t’u afruar me standardet e Bashkimi Evropian sa i përket produktivitetit, sipas një studimi të publikuar nga OECD.
Raporti tregon se produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Shqipëri është rreth 29% e mesatares së BE-së, duke u bazuar në të dhënat e vitit 2023.
Sipas OECD-së, një punonjës në një NVM shqiptare gjeneron mesatarisht rreth 14,924 euro në vit, ndërsa në ndërmarrjet e mëdha kjo shifër arrin në 19,645 euro. Në krahasim, në BE, produktiviteti shkon në rreth 52,000 euro për NVM-të dhe 87,000 euro për bizneset e mëdha.
Raporti thekson gjithashtu se ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri kanë produktivitet më të ulët edhe se NVM-të në raport me standardet europiane, duke u renditur në rreth 22.6% të mesatares së BE-së dhe me nivelin më të ulët në rajon.
Në krahasim rajonal, Serbia kryeson me 31.4 mijë euro për punonjës, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 21.6 mijë euro.
OECD vëren se, pavarësisht rritjes së produktivitetit në Shqipëri, ritmi aktual nuk është i mjaftueshëm për një konvergjencë të shpejtë me BE-në. Sipas parashikimeve, asnjë ekonomi e Ballkanit Perëndimor nuk pritet të arrijë nivelin aktual të të ardhurave për frymë të BE-së brenda 40 viteve të ardhshme.
Raporti ngre si sfida kryesore rritjen e vlerës së shtuar në ekonomi, përputhjen e pagave me produktivitetin dhe ruajtjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër shqetësim i theksuar është tkurrja e forcës së punës. Sipas OECD-së, popullsia në moshë pune në Shqipëri ka rënë me 18% që nga viti 2011, kryesisht për shkak të emigracionit të kualifikuar në sektorë si teknologjia, inxhinieria dhe shkencat e aplikuara.
Raporti nënvizon edhe mospërputhjen mes sistemit arsimor dhe kërkesave të tregut të punës, që po vështirëson ndjeshëm gjetjen e punonjësve të kualifikuar për bizneset.
Po ashtu, kufizimet në aksesin në financim mbeten një tjetër pengesë e rëndësishme për zhvillimin e NVM-ve, të cilat përballen me kërkesa më të larta për kolateral dhe qasje më të kufizuar në kredi krahasuar me bizneset e mëdha.
OECD paralajmëron se për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, Shqipëria duhet të investojë më shumë në transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, në një moment që vlerësohet kritik për ekonominë vendase.



