back to top
27.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Maj, 2026
spot_img
KreuShëndetiOnkologjiku në krizë?/ Infermierët kundërshtojnë vendimin e Ministrisë

Onkologjiku në krizë?/ Infermierët kundërshtojnë vendimin e Ministrisë

Infermierët e Njësisë së Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik kanë kundërshtuar vendimin për zgjatjen e orarit të punës nga 6 në 8 orë, duke paralajmëruar se kjo rrit ekspozimin e tyre ndaj barnave citotoksike dhe për rrjedhojë rrezikun për shëndetin.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ata kërkojnë ruajtjen e orarit të reduktuar, kryerjen e një vlerësimi të pavarur të riskut profesional, si dhe marrjen e masave shtesë mbrojtëse për personelin mjekësor.

Sipas infermierëve, ndryshimi i orarit pa një analizë të thelluar teknike dhe shkencore mund të rrisë rrezikun profesional, duke ndikuar jo vetëm në shëndetin e stafit, por edhe në sigurinë e pacientëve që marrin trajtime kimioterapie. Ata theksojnë se lodhja fizike dhe mendore e personelit mund të shtojë rrezikun e gabimeve gjatë përgatitjes dhe administrimit të barnave citotoksike.

Në kërkesën e tyre, infermierët argumentojnë se çdo heqje e një mase ekzistuese mbrojtëse duhet të mbështetet në një analizë të dokumentuar që provon se ndryshimi nuk sjell rritje të riskut profesional.

Në rast se kërkesa e tyre nuk merret parasysh, infermierët paralajmërojnë ndjekjen e rrugës ligjore, si dhe përdorimin e të gjitha formave të organizimit sindikal, përfshirë protestat dhe grevën, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë, gazetari Osman Stafa ka reaguar në rrjetet sociale duke kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, duke pretenduar se çështja nuk është diskutuar drejtpërdrejt me infermierët dhe se vendimet merren pa konsultim me personelin në terren.

Infermierët vijojnë të kërkojnë dialog institucional për zgjidhjen e situatës, duke theksuar se vendimi për orarin e punës ka ndikim të drejtpërdrejtë si në kushtet e punës, ashtu edhe në sigurinë e pacientëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat