Dekania e pezulluar e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës, duke kërkuar shfuqizimin e urdhrit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për pezullimin e saj nga detyra.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, profesoresha Dorina Hoxha kërkon që vendimi i rektorit të shpallet absolutisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Paralelisht me padinë në themel, ajo ka kërkuar edhe vendosjen e një mase sigurimi padie deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Burime pranë Fakultetit të Drejtësisë bëjnë me dije se dekania e pezulluar ka ndjekur fillimisht rrugën administrative përmes institucioneve të arsimit të lartë, por në mungesë të një reagimi apo përgjigjeje nga Ministria e Arsimit për situatën e krijuar, ka vendosur t’i drejtohet gjykatës.
Përplasja mes Dorina Hoxhës dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, lidhet me kandidimin e dekanes për postin e anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, një vendim që, sipas burimeve, ka sjellë tensione mes palëve.
Përmes një urdhri të firmosur më 20 maj nga rektori Artan Hoxha, dekania Dorina Hoxha u pezullua nga detyra, ndërsa kompetencat e saj iu deleguan profesor Skënder Kaçupit.
Tashmë mbetet në dorën e Gjykatës Administrative të Tiranës të vendosë fillimisht mbi kërkesën për masë sigurimi padie dhe më pas mbi ligjshmërinë e vendimit të pezullimit.



