Sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka reaguar sërish këtë të hënë lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të lejuar punonjësit e kompanisë së tij “MABCO” të rikthehen në ambientet e brendshme dhe të vijojnë punën.
Sipas Pacollit, prej rreth një jave punonjësit, inxhinierët dhe stafi i kompanisë nuk po lejohen të kenë akses në vendin e punës, ndërsa ai pretendon se po pengohet edhe hyrja në pajisjet dhe materialet e punës.
Ai ka deklaruar se pajisje me vlerë të konsiderueshme, përfshirë kompjuterë dhe instrumente teknike, sipas tij po vidhen nga persona të paidentifikuar, ndërsa akuzon se e gjithë situata po ndodh para syve të Policisë së Shtetit.
Pacolli kërkon që rasti të hetohet menjëherë dhe ngre pyetjen se kush po e mban të bllokuar procesin në aeroport, duke theksuar se investimi në projekt arrin në qindra miliona euro.
Ai shton se vijon të ketë pengesa të vazhdueshme për aksesin në punishten dhe pronën e kompanisë, duke e cilësuar situatën si shkelje të të drejtës për punë dhe pronë.



