Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka firmosur së fundi propozimet që i janë përcjellë Kuvendit për emërimin e katër ambasadorëve të rinj të Shqipërisë në disa përfaqësi diplomatike.
Sipas raportimeve, emrat e propozuar do të shërbejnë në misione të ndryshme diplomatike në Evropë, Lindjen e Mesme dhe pranë organizatave ndërkombëtare.
Në Gjenevë, pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, është propozuar Dastid Koreshi si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë.
Elvira Isufi është propozuar ambasadore rezidente në Suedi, si edhe jo-rezidente në Finlandë, Islandë dhe Norvegji.
Florian Nova është propozuar ambasador në Egjipt, si edhe jo-rezident në Siri, Jordani, Libi, Palestinë, Liban dhe Sudan.
Ndërkohë, Spiro Koçi është propozuar ambasador i Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Këto emërime pritet të shqyrtohen nga Kuvendi për miratim përfundimtar.



