Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për Paketën Fiskale 2027, pas kundërshtimeve të përfaqësuesve të biznesit ndaj rritjes së disa taksave dhe ndryshimeve të propozuara.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i ka cilësuar dokumentet e publikuara në media si dokumente pune të paplota, duke theksuar se qeveria do të shprehet zyrtarisht përmes miratimit të buxhetit.
Kreu i qeverisë deklaron se buxheti që pritet të miratohet nesër, sipas tij, do të kalojë për herë të parë në histori pragun e 10 miliardë eurove. Ai e ka cilësuar paketën e rishpërndarjes së rritjes ekonomike si më ambiciozen deri më tani.
“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur propozimet për Paketën Fiskale 2027 kanë shkaktuar kundërshtime nga përfaqësues të biznesit, veçanërisht për rritjen e tatimit mbi fitimin, tatimit mbi dividendin dhe TVSH-së për turizmin, si dhe për uljen e pragut të TVSH-së.
Përfaqësuesit e sipërmarrjes kanë paralajmëruar se ndryshimet mund të rrisin barrën fiskale dhe të ndikojnë te investimet, konkurrueshmëria dhe punësimi. Ndërkohë, Rama thekson se qëndrimi zyrtar i qeverisë do të bëhet i qartë me miratimin e buxhetit dhe paketës së re fiskale.
Biznesi kundër Paketës Fiskale 2027/ Rritja e taksave rrezikon investimet dhe vendet e punës



