Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 27-të, ndërsa qindra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në Tiranë.
Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë përsëritur pesë kërkesat e tyre kryesore, ndërsa gjatë tubimit kanë përkujtuar edhe 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Organizatorët kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese që, sipas tyre, do të garantonin barazinë e qytetarëve para ligjit dhe do të miratoheshin përmes referendumit popullor.
Mes propozimeve të tyre janë edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, rishikimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”, shfuqizimin e “Paketës së Maleve”, si dhe heqjen e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Një pjesë e pjesëmarrësve u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë vijuan qëndrimin para godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën edhe fjalimet. Sipas organizatorëve, disa protestues kanë qëndruar gjatë gjithë natës pranë Kryeministrisë, duke e zgjatur tubimin deri në orët e para të mëngjesit.
Gjatë fjalës së tij, nismëtari i protestës, Adriatik Kola, përkujtoi edhe çështjen çame, ndërsa protestuesit brohoritën slogane si: “Rama në burg, Berisha në burg”.



