Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, reagoi ashpër ndaj mediave dhe Qëndresës qytetare, në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 14 vjeçari Martin Cani.
Deklaratat e Hoxhës kanë çuar në reagimin e prindërve të cilët nëpërmjet faqes “Prindërit për arsim cilësor, kanë replikuar ministrin.
Deklarata e prindërve:
Përgjigje për akuzat e Ministrit të Brendshëm ndaj Qëndresës Qytetare dhe Komunitetit të prindërve protestues.
Zoti Hoxha, lajmësi dhe protestuesit nuk denigrohen nga ata që vendosën standardin Proga dhe Rasha!
Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Spitali i Traumës kanë nisur një fushatë agresive kundër medias lidhur me tragjedinë e ndodhur në derën e shkollës “Fan Noli”, ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe i plagosur shoku i tij Luis Meçe.
Policia e Shteti dhe vetë Ministri i Brendshëm akuzuan median dhe prindërit protestues, ku në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha u shpreh se disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur të rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.
Në rastin e Pogradecit, akuzat ndaj Policisë u konfirmuan, ashtu siç u konfirmuan edhe në rastin e vrasjes shtetërore të Klodian Rashës, ku Drejtori i Policisë së Shtetit i vuri në dorë armën viktimës.
Përpara se të ngresh gishtin kundër protestuesve qëndrestarë, kujto vartësit e tu që SKY ti ekspozoi si peng të krimit të organizuar dhe pronarë parcelash kanabisi.
Përpara se ti gjykosh mediet, kërko të verifikohet puna e Policisë së Shtetit për të parandaluar tragjedinë tek “Fan Noli”.
Kërcënimet tuaja nuk do na ndalin dhe ne do të jemi në protestë deri sa për vrasjen e Martin Canit të ketë drejtësi.