Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në ceremoninë e inaugurimit të linjës së re direkte Tiranë-Toronto, ku vlerësoi rritjen e ndjeshme të numrit të pasagjerëve dhe zhvillimin e sektorit të aviacionit gjatë viteve të fundit.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se objektivi i Shqipërisë nuk është vetëm rritja e turizmit masiv, por kalimi drejt një modeli të orientuar nga turizmi elitar dhe vizitorët me fuqi më të lartë blerëse.
“Ne nuk duam vetëm turizëm masiv, por duam të shkojmë përtej, drejt turizmit elitar dhe konsumatorëve të pasur”, u shpreh Rama.
Përplasjet mes aksionerëve kanë bllokuar Aeroportin e Vlorës
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur projekti i Aeroportit të Vlorës është përfshirë nga mosmarrëveshje dhe përplasje mes aksionerëve të kompanisë koncesionare, çka ka sjellë vonesa në vënien në funksion të aeroportit.
Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, Rama pranoi ekzistencën e konflikteve të brendshme në kompani, por siguroi se ato nuk do të pengojnë realizimin e projektit.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur dhe objektivi mbetet i palëvizshëm. Aeroporti i Vlorës, një tjetër aeroport i madh, do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda përbrenda kompanisë”, deklaroi kryeministri.
Gati gara për aeroportin e Gjirokastrës
Rama bëri të ditur se qeveria ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e garës për ndërtimin e aeroportit turistik dhe sezonal të Gjirokastrës.
“Jemi në fazën e përgatitjes së fundit për të çelur garën e aeroportit të Gjirokastrës”, tha ai, duke shtuar se qeveria nuk ka hequr dorë as nga aeroporti i Kukësit.
Nga 6.5% në 40%, Rama flet për rritjen e udhëtimeve ajrore
Kryeministri theksoi se, kur socialistët morën drejtimin e vendit, vetëm 6.5% e popullsisë kishte akses në transportin ajror, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në afro 40%.
“Ne e nisëm këtë detyrë me vetëm 6.5% të popullsisë që kishte akses në aviacion. Sot shifra ka shkuar në afro 40% të shqiptarëve që përdorin avionin”, tha Rama.
Inaugurimi i linjës së re Tiranë-Toronto konsiderohet një tjetër hap në zgjerimin e lidhjeve ajrore të Shqipërisë, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te ecuria e projektit të Aeroportit të Vlorës, i cili po përballet me tensione dhe mosmarrëveshje mes aksionerëve.



