Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 të tjerë, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, kanë dëmtuar një automjet policie dhe kanë sulmuar deputetë gjatë zhvillimit të tubimit.
Personat e arrestuar janë: Besnard Kaimi, Aristotel Elezaj, Gentjan Progni, Durim Bami, Kujtim Pervataj, Romarjo Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani, Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Biçi, Altin Hila, Ervin Gega, Everes Bardhi dhe Arbër Lleshaj, ky i fundit i dyshuar edhe për goditjen e një gazetari.
Ndërkohë, 12 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprime të ndryshme të kryera gjatë protestës.
Policia bën me dije se nga përplasjet mbetën të dëmtuar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit.
Sipas autoriteteve, hetimet vijojnë për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer akte të dhunshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia e Tiranës thekson se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në veprime të kundërligjshme gjatë protestës pranë Parlamentit.



