Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, duke vënë në lëvizje strukturat e saj për identifikimin e kandidatëve që do të garojnë për kryetarë bashkish. Procesi ka nisur pa pritur një marrëveshje me partitë e tjera opozitare për kandidatë të përbashkët, ndërsa PD deklaron se mbetet e hapur për bashkëpunim.
Në një udhëzim drejtuar kryetarëve dhe strukturave drejtuese të degëve, Partia Demokratike kërkon nisjen e mbledhjes së propozimeve për kandidaturat në të gjitha bashkitë. Degët kanë afat deri më 30 nëntor 2026 për të përfunduar këtë proces dhe për të përcjellë emrat pranë strukturave qendrore të partisë.
Ajo që bie në sy në këtë udhëzim është përpjekja për ta zgjeruar procesin përtej anëtarësisë dhe strukturave tradicionale të PD-së. Partia u kërkon degëve të zhvillojnë konsultime me komunitetin, pedagogët, botën akademike, studentët, shoqërinë civile, profesionistët e lirë dhe sipërmarrësit, me synimin për të identifikuar figura që mund të përfaqësojnë partinë në zgjedhjet e ardhshme.
Në mënyrë të veçantë, udhëzimi përmend edhe studentët dhe pedagogët që janë pjesë e protestave, duke i përfshirë në grupet ku strukturat e PD-së duhet të kërkojnë kandidatura të mundshme.
“Anëtarët dhe strukturat drejtuese duhet të angazhohen nëpërmjet një dialogu të hapur e intensiv me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe komunitetin në tërësi, me trupën e pedagogëve dhe botën akademike, studentët dhe shoqërinë civile”, thuhet në dokument.
Sipas PD-së, kandidatët duhet të jenë persona me integritet të lartë moral e profesional, reputacion të pacenuar dhe angazhim qytetar në mbrojtje të interesit publik. Ndër kriteret e përcaktuara janë edhe përfundimi i arsimit të lartë, mungesa e kushteve të pazgjedhshmërisë dhe mospasja e lidhjeve me ish-strukturat e regjimit komunist, sipas përcaktimeve në udhëzim.
Megjithatë, jo të gjithë do t’i nënshtrohen të njëjtit proces. Deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme të përzgjedhjes dhe nuk do të kalojnë në seleksionimin paraprak.
Propozimet do të shqyrtohen nga Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave, i cili duhet të përbëhet nga të paktën pesë anëtarë. Ky komision do të verifikojë dokumentacionin dhe brenda 15 ditëve nga përfundimi i aplikimeve do t’i rekomandojë Kryesisë së PD-së listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret.
Në udhëzim, PD kritikon edhe reformën e re territoriale të miratuar nga mazhoranca socialiste, e cila reduktoi numrin e bashkive nga 61 në 46. Sipas demokratëve, shkrirja e 15 bashkive cenon përfaqësimin e komuniteteve vendore dhe është bërë në funksion të konsolidimit të pushtetit të PS-së.
Për këtë arsye, degëve në zonat e prekura nga ndryshimet territoriale u kërkohet të zhvillojnë konsultime të posaçme me banorët dhe strukturat e njësive të shkrira, në mënyrë që interesat e tyre të merren parasysh në përzgjedhjen e kandidaturave.
Procesi i identifikimit të emrave është kështu hapi i parë konkret i PD-së drejt zgjedhjeve të 9 majit 2027, ndërkohë që mbetet e paqartë se si do të ndërthuret kjo garë e brendshme me negociatat e mundshme për një kandidat të përbashkët opozitar në secilën bashki.



