back to top
24.4 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika"Nuk je viktimë e halleve tona, je autori i tyre"/ Protestuesi Erlis...

“Nuk je viktimë e halleve tona, je autori i tyre”/ Protestuesi Erlis Sina i kundërpërgjigjet Ramës

Një nga protestuesit që kaloi natën para Kryeministrisë, Erlis Sina, ka reaguar ashpër ndaj mesazhit publik që kryeministri Edi Rama u drejtoi protestuesve, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratën e kreut të qeverisë se “halli juaj nuk është larg hallit tim” dhe se “armiku juaj nuk jam unë”.

Në një reagim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Sina i është drejtuar Ramës me fjalët “Unë nuk jam ti”, duke theksuar se nuk mund të krahasohet me një kryeministër që ka ushtruar pushtetin për vite me radhë dhe që, sipas tij, mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhen shumë qytetarë shqiptarë.

Reagimi vjen pasi Rama publikoi një fotografi të protestuesit dhe iu drejtua pjesëmarrësve në protestë me një mesazh ku kërkonte dialog dhe mirëkuptim, duke argumentuar se problemet e qytetarëve nuk janë të ndara nga shqetësimet e tij si drejtues i vendit.

Por Sina e refuzon kategorikisht këtë qasje. Sipas tij, kryeministri nuk mund të paraqitet si viktimë e të njëjtave probleme që prekin qytetarët, pasi është pikërisht ai që ka pasur në dorë drejtimin e institucioneve dhe marrjen e vendimeve që kanë ndikuar në jetën e shqiptarëve.

“Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti. Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi. Ti je”, shkruan Sina.

Ai shkon edhe më tej në akuzat e tij, duke e cilësuar kryeministrin si përgjegjës për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, për padrejtësitë sociale dhe për krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të papërfaqësuar dhe të padëgjuar.

“Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre. Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri. Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre. Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Sina ndalet edhe te çështje që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te shteti dhe demokracia. Ai përmend vjedhjen e votës, grabitjen e pronës, shkatërrimin e dinjitetit dhe mungesën e perspektivës për brezin e ri, duke argumentuar se këto janë plagët më të mëdha që kanë çuar shumë qytetarë në protestë.

“Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës. Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës. Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit. Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë”, deklaron ai.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet edhe mënyrës se si, sipas Sinës, qeveria dhe përfaqësues të saj përpiqen të interpretojnë protestat qytetare. Ai kundërshton pretendimet se pakënaqësia qytetare është produkt i manipulimeve politike, i ndikimit të rrjeteve sociale apo i fushatave të opozitës.

Sipas tij, qytetarët dalin në protestë për arsye konkrete dhe të prekshme, të lidhura me realitetin e përditshëm.

“Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë. Sepse paguajnë faturat. Sepse kërkojnë punë. Sepse presin në spitale. Sepse shohin fëmijët të largohen. Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre”, shkruan ai.

Në vijim, protestuesi akuzon kryeministrin se po përpiqet të minimizojë dhe delegjitimojë shqetësimet e qytetarëve duke i paraqitur ata si të manipuluar ose të përdorur nga faktorë të tjerë politikë.

“Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton. Po i përçmon”, shprehet Sina.

Në fund të reagimit të tij, ai ndalet te publikimi i fotografisë së tij nga kryeministri, duke deklaruar se nuk dëshiron të përdoret si simbol në narrativën politike të kreut të qeverisë.

“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar”, shkruan ai.

Duke e mbyllur mesazhin me të njëjtën frazë që e shoqëron gjatë gjithë reagimit, Sina thekson se pjesëmarrja e tij në protestë nuk është rezultat i ndikimit të askujt, por pasojë e drejtpërdrejtë e realitetit që ai dhe shumë qytetarë të tjerë përjetojnë çdo ditë.

“Unë nuk jam ti. Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush. Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu”, përfundon reagimin e tij protestuesi Erlis Sina.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat