back to top
31.9 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Republika e rojeve private?”/ Pacolli ngre alarmin për Aeroportin e Vlorës

“Republika e rojeve private?”/ Pacolli ngre alarmin për Aeroportin e Vlorës

Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke denoncuar atë që e cilëson si bllokim të paligjshëm të aksesit në kantier dhe moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Sipas Pacollit, grupet që ai i konsideron kriminale kanë bllokuar sërish hyrjen në aeroport, ku kompania Mabco Constructions ka investuar mbi 310 milionë euro.

Në reagimin e tij, Pacolli ngre një sërë pyetjesh mbi rolin e institucioneve shtetërore dhe kompanive private të sigurisë, duke kërkuar përgjigje se përse nuk po ndërhyhet për të garantuar zbatimin e ligjit.

“A është krim bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi? Nëse po, pse nuk po vepron askush?”, shkruan ai.

Pacolli shpreh shqetësimin se, sipas tij, një kompani private sigurie po pengon hyrjen në një aset strategjik kombëtar, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe kërkesave të institucioneve shtetërore.

Ai thekson se çështja ka tejkaluar një konflikt biznesi dhe tashmë lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit ligjor.

“Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi. Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit”, deklaron Pacolli.

Sipas tij, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Lartë mund të pengohet nga persona që bllokojnë hyrjet me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk kufizohet vetëm te Aeroporti i Vlorës, por prek vetë funksionimin e shtetit dhe zbatimin e ligjit.

Pacolli pretendon se prej muajsh kompania Mabco po përballet me pengesa të vazhdueshme, ndërsa akuzon për vandalizëm, dëmtime prone dhe bllokim të punimeve. Ai u bën thirrje institucioneve kompetente të japin përgjigje dhe të garantojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore.

“Kush i zbaton ligjet në këtë vend? Ligjin për shoqëritë tregtare, vendimet e Gjykatës së Lartë apo rojet private?”, përfundon reagimin e tij Pacolli.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat