Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus kanë qenë situata politike në vend dhe protestat lidhur me çështjen e Zvërnecit.
Burime bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të shtojnë praninë e tyre në rrjetet sociale dhe të komunikojnë më shumë mbi punën dhe arritjet e qeverisë.
Sipas tij, projektet dhe investimet e qeverisë nuk po marrin vëmendjen e merituar në platformat online.
“Ne nxjerrim një punë dhe nuk merr algoritëm”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë takimit.
Mbledhja ka sjellë edhe momente përplasjeje mes kryeministrit dhe deputetit Erion Braçe, lidhur me postimet e këtij të fundit në rrjetet sociale për problematikën e mbeturinave.
Rama e ka kritikuar Braçen se në postimet e tij fokusohen kryesisht pamjet e koshave të mbushur me mbeturina, duke lënë jashtë ato raste kur situata paraqitet e pastër.
“Nxjerr Erioni koshat e mbushur me mbeturina, por nuk nxjerr koshat e pastra”, mësohet të ketë thënë kryeministri.
Nga ana tjetër, Erion Braçe i është përgjigjur duke theksuar se denoncimet e tij lidhen me problematika të pazgjidhura në terren.
“E bëj këtë gjë sepse nuk ka gjetur zgjidhje”, ka qenë reagimi i tij gjatë mbledhjes.



