KreuAktualitetPolitika“Përgjegjësi duhet të marrë koston”/ Rama paralajmëron zyrtarët që vonojnë përgjigjet

“Përgjegjësi duhet të marrë koston”/ Rama paralajmëron zyrtarët që vonojnë përgjigjet

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga zëvendësministrat dhe drejtuesit e institucioneve për trajtimin në kohë të kërkesave dhe problematikave të qytetarëve.

Gjatë një takimi me strukturat e bashkëqeverisjes, zëvendësministrat dhe drejtuesit e drejtorive, Rama tha se vonesat nuk duhet të kalojnë pa përgjegjësi dhe paralajmëroi se kjo do të përcaktohet përmes të ashtuquajturit “ligji i Pasqyrës”.

“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek rastet kur kërkesat e qytetarëve përballen me pengesa ligjore. Sipas tij, këto raste duhet të ndahen qartë në kategori dhe qytetarëve duhet t’u jepet një përgjigje e prerë, në vend që të mbahen në pritje pa një zgjidhje.

“Të gjitha ato çështje që kanë ndalesë ligjore, duhen ndarë në kategori të ndryshme dhe në atë moment pastaj, është çështja e vendimmarrësve që të thonë: kjo ndalesë zgjidhet, kjo ndalesë duhet të qëndrojë”, tha ai.

Rama kritikoi përgjigjet e paqarta ndaj qytetarëve, duke theksuar se një situatë ku nuk jepet as miratim dhe as refuzim përfundimtar nuk mund të konsiderohet zgjidhje.

“Njerëzve u duhet thënë kjo nuk bëhet. ‘Edhe po, dhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej’, quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, u shpreh kryeministri.

Ai kërkoi që zëvendësministrat ta kenë trajtimin e këtyre problematikave si një nga prioritetet kryesore të punës së tyre të përditshme.

Sipas Ramës, çdo ditë duhet të nisë me bilancin e përgjigjeve të dhëna, atyre që duhet të trajtohen dhe rasteve ku afati është tejkaluar.

“Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje që nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?”, tha Rama.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat