Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të enjte për protestat e dhunshme në Tiranë, duke akuzuar opozitën për shkatërrimet dhe duke përjashtuar mundësinë e dorëheqjes. Në një reagim në mëngjes dhe më pas në përgjigjet e dhëna për Reuters, Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të diskutojë kërkesat e studentëve, por dënoi aktet e dhunës.
Në reagimin e tij të mëngjesit, të publikuar nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në Tiranë, Rama u distancua nga studentët protestues, duke pretenduar se shkatërrimet nuk janë vepër e tyre, por e opozitës.
“Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, deklaroi kryeministri.
Ai paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për dëmet do të përballen me ligjin.
“Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë”, u shpreh Rama, duke akuzuar opozitën se kërkon ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Rama për Reuters: Nuk do të jap dorëheqjen
Në përgjigjet me shkrim për agjencinë ndërkombëtare Reuters, të publikuara këtë të enjte, Rama u shpreh se nuk do të largohet nga detyra për shkak të protestave që kanë hyrë në ditën e tretë.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, deklaroi Rama për Reuters.
Kryeministri tha se përgjegjësia e tij është të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të trajtojë ato që i konsideron kërkesa legjitime.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta mbaj Shqipërinë të ecë përpara. Alternativa do të ishte tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Rama deklaroi gjithashtu se është i gatshëm të diskutojë rritjen e kostove të arsimit, por theksoi se sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë nuk lidhen me kërkesat legjitime të studentëve.
Pse po protestojnë studentët?
Protestat janë nxitur nga shqetësimet për kushtet në universitete, kostot e larta të arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë e punësimit pas diplomimit. Një pjesë e protestuesve kërkon edhe dorëheqjen e kryeministrit, duke e lidhur pakënaqësinë me akuzat për korrupsion në nivelet e larta të qeverisjes.
Protesta e së mërkurës u shoqërua me përplasje me policinë, dëmtim të bizneseve dhe institucioneve, si dhe zjarre në godinën e Ministrisë së Arsimit dhe në dy banka. Policia përdori ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, Rama këmbëngul se qeveria do të vazhdojë rrugën drejt integrimit europian dhe se ndryshimi i pushtetit duhet të bëhet përmes zgjedhjeve demokratike.



