Arabia Saudite ka kryer sulme ajrore të fshehta ndaj Iran si hakmarrje për sulmet e mëparshme ndaj mbretërisë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme, raportojnë mediat ndërkombëtare, duke cituar zyrtarë perëndimorë.
Sipas agjencisë Reuters, sulmet saudite nuk ishin bërë publike më herët dhe përbëjnë herën e parë që Riadi ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ushtarake në territorin iranian.
Dy zyrtarë perëndimorë deklaruan për Reuters se sulmet u kryen nga Forcat Ajrore Saudite në fund të muajit mars. Njëri prej tyre i përshkroi si “sulme të përgjakshme në hakmarrje për kohën kur u godit Arabia Saudite”.
Ministria e Jashtme iraniane nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me raportimet.
Zhvillimet tregojnë zgjerimin e konfliktit rajonal, i cili nisi pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael nisën sulme ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.
Sipas raportimeve, lufta ka përfshirë në mënyrë më të gjerë vendet e Gjirit Persik, edhe pse shumë nga operacionet ushtarake nuk janë pranuar publikisht.
Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme ndaj Iranit, raportoi më herët Wall Street Journal. Sipas mediave ndërkombëtare, monarkitë e Gjirit kanë nisur kundërpërgjigje pasi u goditën nga sulmet iraniane.
Megjithatë, qasja e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ka qenë e ndryshme. Emiratet kanë mbajtur një qëndrim më agresiv ndaj Teheranit, ndërsa Arabia Saudite ka tentuar të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Riadi ka vijuar kontaktet diplomatike me Iranin, përfshirë komunikimet përmes ambasadorit iranian në kryeqytetin saudit.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme saudite deklaroi se mbretëria mbështet uljen e tensioneve në rajon.
“Ne riafirmojmë qëndrimin e vazhdueshëm të Arabisë Saudite që mbështet vetëpërmbajtjen dhe uljen e tensioneve në ndjekje të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajonit”, tha ai.



