Me 5 dhjetor 2026 Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i mbaron mandati 7-vjeçar. Një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë së hapi garën për këtë post.
KLP ka vendosur gjithashtu një afat deri në 30 ditë ndaj kandidatëve, për të dorëzuar dokumentet dhe aplikimet për këtë garë dhe për të fituar postin e lartë të kryeprokurorit.
Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm ushtron detyrën për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Ndërkohë ka filluar edhe lakimi i emrave që në qarqe juridike kanë shprehur synimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Tre janë për momentin emrat që janë vetë-hedhur në koridoret e drejtësisë.
Një ndër to ëshë edhe prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto. Emri i saj është lakuar në lidhje me një denoncim që një qytetare ka bërë në KLP dhe që mori përmasa të rënda seksuale dhe për goditjen e një afere pastrimi parash, shkruan “E Vërteta.al’.

Dosja ku ka spikatur Zoto
Goditja e tre call center-ave të paligjshëm në Tiranë, të akuzuar për mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë me një dëm që llogaritet deri në 50 milionë euro, ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e prokurores së Tiranës, Rovena Zoto, e cila drejtoi hetimin për afro dy vite.
Operacioni, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme kundër rrjeteve ndërkombëtare të mashtrimit që kanë operuar nga Shqipëria. Burime nga sistemi i drejtësisë vlerësojnë se ky hetim ka qenë ndër më kompleksët e viteve të fundit, duke përfshirë përgjime, letërporosi ndërkombëtare dhe analiza financiare të aktivitetit kriminal.
Në karrierën e saj, Zoto ka hetuar një sërë çështjesh penale në Lushnjë dhe Tiranë, por dosja që e bëri më të njohur publikisht është hetimi ndaj rrjetit të call center-ave të paligjshëm.
Ky hetim dyvjeçar çoi në goditjen e disa strukturave të organizuara që dyshohet se mashtronin shtetas europianë përmes platformave të investimeve online dhe skemave financiare, me një dëm të përllogaritur deri në 50 milionë euro.
Karriera
Rovena Zoto është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe e ka nisur karrierën si prokurore në Prokurorinë e Lushnjës, ku ushtroi funksionin për disa vite, duke hetuar çështje të ndryshme penale.
Në vitin 2021 ajo u transferua në Prokurorinë e Tiranës, ku është angazhuar në hetimin e dosjeve me ndjeshmëri të lartë, përfshirë krimin ekonomik, mashtrimet kompjuterike dhe çështje që kërkojnë bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Vettingu
Në vitin 2023, Rovena Zoto kaloi me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Procesi i Vettingut analizoi tre shtyllat kryesore të rivlerësimit: pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale.
Sa i përket pasurisë, Komisioni verifikoi deklarimet financiare të prokurores dhe familjes së saj për periudhën 2008–2019.
Nga analiza rezultoi se, pasuria familjare u rrit nga rreth 140 mijë lekë në afro 5.47 milionë lekë, rreth 56% e të ardhurave familjare vinin nga paga e prokurores, pjesa tjetër e të ardhurave rezultonte nga paga e bashkëshortit si dhe nga të ardhurat nga qiratë dhe burime të tjera të ligjshme.
Analiza financiare nuk evidentoi mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e pasurive.
Gjatë hetimit administrativ u kërkuan shpjegime edhe për disa deklarime financiare të viteve të para të karrierës, për kursimet cash, të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni në Greqi dhe puna në Policinë e Shtetit, si dhe për pasuri të përfituara nga trashëgimia.
Pas administrimit të provave dhe dokumentacionit, Komisioni arriti në përfundimin se nuk ekzistonin shkaqe për shkarkim dhe vendosi konfirmimin e saj në detyrë.
Pasuria
Sipas vendimit të Vettingut, pasuria e familjes së prokurores përbëhet kryesisht nga apartament banimi, automjet familjar, kursime bankare dhe likuiditete, të ardhura nga paga dhe qiraja si dhe nga pasuri të përfituara përmes trashëgimisë familjare.
Analiza financiare e KPK-së nuk konstatoi balanca negative apo pasuri të pajustifikuara.
A ka pasur probleme apo hetime ndaj saj?
Nga të dhënat publike dhe vendimi i Vettingut nuk rezulton që Rovena Zoto të jetë shkarkuar, proceduar penalisht apo të jetë subjekt i ndonjë mase disiplinore.
Gjatë procesit të rivlerësimit u analizuan deklarimet e saj financiare dhe profesionale, por ato nuk u konsideruan si shkelje që cenonin integritetin apo aftësinë për të ushtruar funksionin e prokurores.
“E Vërteta.al”
30 ditë afat për Prokurorin e Përgjithshëm/ KLP hap procedurat
Gara për kryeprokurorin e ri/ Kandidatët që synojnë vendin e Olsian Çelës



