back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 14 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetSamiti i Diasporës në krizë debati/ Kritika të ashpra ndaj politikanëve

Samiti i Diasporës në krizë debati/ Kritika të ashpra ndaj politikanëve

Po zhvillohet në Tiranë Samiti i Diasporës, në ditën e dytë të punimeve, ku tema e diskutimit këtë të martë ishte “demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare, nga vota te përfaqësimi institucional”.

Gjatë panelit nuk munguan debatet dhe kritikat nga përfaqësues të diasporës ndaj mënyrës se si organizohen këto forume dhe hapësirës reale që u jepet emigrantëve për të kontribuar në vendimmarrje.

Një nga momentet më të forta të diskutimit erdhi nga juristja Eva Baçi, e cila jeton prej 25 vitesh në Bolonjë, Itali. Ajo iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësuesve politikë, mes tyre edhe socialistit Taulant Balla, me kritika të forta për mënyrën se si sipas saj trajtohet diaspora në këto evente.

Baçi u shpreh se pavarësisht dëshirës së madhe të emigrantëve për t’u kthyer dhe kontribuar në Shqipëri, mungojnë hapësirat reale për përfshirje në jetën institucionale dhe politike.

“Skenari i shkruar, por mungojnë aktorët kryesorë”

Në fjalën e saj, ajo kritikoi formatin e Samitit, duke e krahasuar me një skenar të parapërgatitur ku, sipas saj, diaspora nuk ka rol real në diskutim.

“Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim gjithmonë një dritare të hapur nga toka mëmë. Skenari është shkruar shumë bukur, por mungojnë aktorët kryesorë që është diaspora,” u shpreh ajo.

Sipas saj, edhe pse samiti prezantohet si një hapësirë dialogu, në praktikë emigrantët shpesh mbeten vetëm dëgjues dhe jo pjesëmarrës aktivë në debat.

Kritika për mungesë hapësire për fjalën

Baçi theksoi gjithashtu se nuk i ishte dhënë e drejta e fjalës në mënyrën që ajo kishte kërkuar, duke shtuar se diaspora shpesh trajtohet si “numra” dhe jo si kontribuues realë.

Ajo tha se shumë emigrantë të kualifikuar, me arsim të lartë dhe eksperiencë në vendet ku jetojnë, përballen me mungesë të kanaleve reale për të sjellë kontributin e tyre në Shqipëri.

“Ne duam të flasim, jo vetëm të dëgjojmë politikanët. Ne nuk jemi thjesht numra,” u shpreh ajo.

Thirrje për ndryshim qasjeje

Në fund të fjalës së saj, Baçi bëri thirrje për hapje reale të institucioneve dhe përfshirje më të madhe të diasporës në proceset vendimmarrëse, duke theksuar se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e trurit, por nga mungesa e hapësirave për ta përdorur atë.

“Ju jeni larg realitetit. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Hapni dyert, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri,” u shpreh ajo.

Samiti i Diasporës vijon punimet në Tiranë me panele të ndryshme diskutimi mbi rolin e emigracionit shqiptar në zhvillimin ekonomik, social dhe politik të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat