Ditën që kryeministri Edi Rama çuditi botën kur tha se Shqipëria është përpara Gjermanisë dhe Suedisë sa i takon ndershmërisë dhe konkurrencës në tenderat publikë, institucionet nën varësinë e tij kanë nxjerrë nga repertori një farsë monumentale, e cila është njëkohësisht tragjedi, por edhe komedi.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi një tender me vlerë 359 milionë lekë ose 3.7 milionë euro për blerjen e automjeteve për Policinë e Shtetit.

Sipas dokumentave, përmes këtij tenderi OBP do të blejë 76 automjete SUV për forcat e policisë, nga të cilat 20 automjete 4×4 dhe 56 automjete të tjera 2×4.
Këto në foton më poshtë janë specifikimet teknike të vendosura për 20 automjetet 4×4.

Specifikimet për automjetet
Për dikë që nuk ka njohuri për industrinë automotive, përmesat e vendosura në dokumentat e tenderit ngjajnë thjesht disa numra të zakonshëm.
Por këto përmasa plotësohen vetëm nga lloj automjeti. Ai është Land Rover Defender, automjeti i cili në Shqipëri tregtohet ekskluzivisht nga kompania e familjes së kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako.
Dhe meqë kryeministri e ka shumë qejf inteligjencën artificiale, kjo është përgjigja e saj kur pyet se cila nga Suv-et i plotëson kriteret e vendosura në tenderin për automjetet e policisë së shtetit.

Pergjigja e IA se cila suv i ploteson kriteret
“Land Rover Defender 110 (D300/D350 Diesel) është modeli që përmbush kërkesat për lartësi, gjerësi, distancë nga aksi i rrotave, lartësi nga toka dhe efikasitet të karburantit, ndërsa gjatësia e tij (4,758 mm) është brenda maksimumit tuaj prej 5,050 mm,” thotë inteligjenca për kriteret e vendosura në tenderin e një vendi që sipas kryeministrit ja kalon Gjermanisë dhe Suedisë për ndërshmëri.
Qepja e kostumit slim fit në tenderin për automjetet e policisë së shtetit është aq flagrante saqë distanca mes akseve kërkohet minimalisht 3000 mm, kurse gjatësia totale e mjetit kërkohet maksimalisht 5050 mm.
Nuk dihet nëse specifikimet teknike të tenderit i ka hartuar vetë policia e shtetit apo Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Por ky kostum është një vepër penale në flagrancë se si hajdutët e Rilindjes vjedhin tenderat.
Tani mjafton vetëm që prokuroria të sekuestrojë dokumentat e tenderit dhe të çojë autorët para ligjit./kapitali.al



