back to top
23.4 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaNga kompania "guackë" te blerja e pronave në Dhërmi/ SPAK zbardh skemën...

Nga kompania “guackë” te blerja e pronave në Dhërmi/ SPAK zbardh skemën e pastrimit të parave

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pas përfundimit të hetimeve që, sipas organit të akuzës, zbuluan një skemë për futjen në ekonominë shqiptare të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale përmes kompanive fiktive.

Kërkesa për gjykim është depozituar në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2024.

Të pandehur janë Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere. Tre të parët akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Doris Pere akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se gjatë muajit qershor 2024 janë krijuar në Shqipëri tre shoqëri tregtare – “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k. – të gjitha me kapital minimal, të regjistruara në të njëjtën adresë dhe pa zhvilluar aktivitet real ekonomik.

Prokuroria pretendon se këto kompani janë përdorur si mekanizma për të futur në qarkullimin formal fonde me origjinë të dyshuar kriminale. Sipas provave të administruara, janë evidentuar transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare drejt subjekteve të huaja të lidhura me personat nën hetim.

Në dosjen hetimore thuhet se shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka kryer qarkullime financiare që nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj kompanive të huaja pa dokumentacion mbështetës, si dhe investime në pasuri të paluajtshme dhe automjete me vlerë të lartë.

Një pjesë e fondeve, sipas SPAK, janë përdorur për blerjen e dy pronave në zonën e Dhërmi, me sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh, kundrejt një vlere të deklaruar prej 1,621,200 euro. Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se vlera reale e tregut e këtyre pasurive ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratat e shitblerjes.

Hetimet janë mbështetur edhe nga bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet gjyqësore të Spanjë, të cilat kanë informuar SPAK se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimesh edhe në atë vend për vepra penale të mashtrimit.

Sipas organit të akuzës, Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues në skemën e dyshuar, duke administruar kompanitë, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Ndërkohë, Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë kontribuar në funksionimin e skemës përmes roleve të tyre formale në kompanitë “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke krijuar, sipas SPAK, pamjen e një aktiviteti të ligjshëm ekonomik dhe duke lehtësuar qarkullimin e fondeve.

Sa i përket Doris Pere, Prokuroria pretendon se ajo ka ndihmuar në funksionimin e skemës përmes veprimeve administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për kompanitë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.

Në kuadër të hetimit, mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

SPAK bën me dije se, pas analizimit të provave të mbledhura gjatë hetimit, ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjykim ndaj katër të pandehurve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat