back to top
23.4 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026
spot_img
KreuDrejtësia"Mos merrni familjarë të qeverisë së prokurorëve"/ Përplasje për vakancat dhe punësimin...

“Mos merrni familjarë të qeverisë së prokurorëve”/ Përplasje për vakancat dhe punësimin në KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është përballur me kritika të forta gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ku kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësime për funksionimin e institucionit, menaxhimin e burimeve njerëzore, plotësimin e vakancave dhe procesin e reformimit të sistemit të prokurorisë.

Në fjalën e tij, Xhafaj vlerësoi se, megjithëse KLP ka shënuar disa përmirësime krahasuar me vitet e kaluara, institucioni mbetet një nga hallkat më të dobëta të sistemit të drejtësisë në vend.

“Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por mbetet KLP një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Në krahasim me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me çfarë i ka dhënë ligji dhe pritshmëritë e Bashkimit Europian, ka shumë për të bërë”, deklaroi ai.

Një nga debatet kryesore u përqendrua te mungesa e prokurorëve në sistem. Xhafaj kritikoi faktin se, ndonëse sipas tij ekzistojnë mbi 100 vende vakante në organin e akuzës, KLP i kishte kërkuar Shkolla e Magjistraturës vetëm 12 kandidatë të rinj për vitin e kaluar.

Ai e cilësoi këtë një paradoks dhe akuzoi Këshillin për mungesë planifikimi dhe vizioni në menaxhimin e burimeve njerëzore.

“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Keni mbi 100 vakanca dhe kërkoni vetëm 12 prokurorë. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së Magjistraturës dhe as rritje të numrit të përgjithshëm. Si do të zgjidhet kjo situatë?”, u shpreh Xhafaj.

Nga ana e saj, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, mbrojti vendimin e institucionit, duke argumentuar se numri i kandidatëve është përcaktuar mbi bazën e standardeve të cilësisë.

“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve”, tha Bogdani.

Diskutimet u shtrinë edhe te rekrutimi i stafit administrativ dhe organizimi i trajnimeve. Xhafaj hodhi akuza për favorizime në punësime, duke lënë të kuptohet se institucioni është kthyer në një vend ku punësohen familjarë të prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve.

“Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, deklaroi ai.

Bogdani sqaroi se trajnimet e stafit mbështeten nga ASPA ose nga donatorë ndërkombëtarë dhe theksoi se vetë anëtarët e KLP-së kanë nevojë për trajnime specifike mbi funksionimin e organeve kolegjiale.

Gjatë raportimit u diskutua edhe procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byroja Kombëtare e Hetimit. Bogdani bëri të ditur se procedura sapo ka kaluar fazën e përzgjedhjes dhe se procesi kërkon kohë për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare.

“Ende nuk kemi bërë ndonjë përpjekje, pasi sapo është përmbyllur faza e përzgjedhjes. Nuk është i rëndësishëm vetëm emërimi, por edhe mënyra e ndërveprimit për të reflektuar standardet ndërkombëtare. Kjo do të marrë pak kohë”, u shpreh ajo.

Një tjetër çështje që mori vëmendje ishte klima e debateve brenda vetë KLP-së. Bogdani pranoi se në mbledhjet e institucionit kanë pasur përplasje dhe tone të larta, për të cilat kërkoi ndjesë publike.

Ajo theksoi se debatet janë pjesë normale e funksionimit të një organi kolegjial, por paralajmëroi se, nëse situata nuk përmirësohet, KLP do të miratojë rregulla të reja etike për të disiplinuar komunikimin mes anëtarëve.

Në fund të seancës u diskutua edhe procesi i digjitalizimit të sistemit të prokurorisë. Xhafaj shprehu shqetësimin se vonesat në këtë proces po ndikojnë negativisht në performancën e institucionit, ndërsa Bogdani sqaroi se përgjegjësia për zbatimin e tij i takon Prokurorit të Përgjithshëm dhe se përfundimi i procesit pritet brenda një viti.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat