Biznesmeni Pandeli Carapuli është zyrtarisht nën hetim për veprën penale të pastrimit të parave, në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Carapuli u paraqit në ambientet e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, por në përfundim të procedurave nuk pranoi të japë deklarata për mediat.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, biznesmeni rezulton i përmendur si person i lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Prokuroria dyshon se një banesë e përfituar nga Balluku mund të jetë dhënë në këmbim të favorizimeve në tendera, gjatë periudhës kur ajo drejtonte AlbControl.
Ndërkohë, një ditë më parë, SPAK bëri me dije se i ka komunikuar akuzat edhe ish-lojtarit të Kombëtares, Igli Tare. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka fshehur në emrin e tij një vilë luksoze që hetuesit pretendojnë se lidhet me Belinda Ballukun, në zonën e plazhit të Dhërmiut.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, pronari i vilave në kompleksin “White Rock” rezulton të jetë Pandeli Carapuli.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm.



