back to top
25.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia30 apartamente të shkatërruara/ Qeveria garanton bonus qiraje për banorët

30 apartamente të shkatërruara/ Qeveria garanton bonus qiraje për banorët

Banorët e prekur nga zjarri që përfshiu një pallat pranë Farmacisë nr. 10 në Tiranë do të mbështeten me bonus qiraje deri në rikthimin e tyre në banesat e riparuara plotësisht. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se procesi i rindërtimit do të përfundojë në kohë të shpejtë nga ndërtuesi.

“Banorët do të mbështeten me bonuse qiraje deri sa të rikthehen në pallatin e riparuar 100%,” u shpreh Rama.

Një ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, bëri me dije se bonusi do të jepet për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, duke qenë se kushtet aktuale nuk janë të përshtatshme për qëndrim afatgjatë.

Ndërkohë, autoritetet janë duke përgatitur ndryshimet ligjore që vendimi për dhënien e bonusit të miratohet brenda një muaji në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo u është komunikuar banorëve edhe nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila theksoi se paralelisht po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.

Një grup ekspertësh po punon gjithashtu për të vlerësuar masat që do të shmangin përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen, ndërsa paralelisht po përgatitet edhe procesi për rindërtimin e pallatit të dëmtuar.

Zjarri shkaktoi dëme të mëdha, duke shkatërruar plotësisht rreth 30 apartamente dhe duke çuar në spital 8 persona për shkak të asfiksisë. Ndërtuesi ka deklaruar se nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, por ka marrë përsipër rindërtimin e plotë të banesave, ndërsa sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat