Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar vlerësimin e këtij viti si më të lartin që vendi ka marrë ndonjëherë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në platformën X, Rama e konsideroi raportin një tjetër moment krenarie për Shqipërinë dhe një dëshmi të përparimit të bërë në procesin e integrimit evropian. Sipas tij, vlerësimi i Komisionit Evropian përbën një hap tjetër drejt objektivit historik të anëtarësimit të vendit në BE.
“Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën”, shkruan kryeministri.
Megjithatë, Rama pranon se pavarësisht vlerësimit pozitiv, Shqipëria ka ende shumë detyra për të përmbushur në procesin e negociatave. Ai thekson se koha në dispozicion po ngushtohet, për shkak të kalendarit të ngjeshur të negociatave, duke nënvizuar nevojën për të vijuar me ritme të larta punën për reformat.
Kryeministri u ndal edhe te problematikat e brendshme të vendit, duke theksuar se vlerësimi i marrë nga Brukseli nuk duhet të krijojë idenë se sfidat e përditshme të qytetarëve janë zgjidhur apo janë bërë më pak të rëndësishme.
Sipas tij, problemet që prekin jetën e përditshme të shqiptarëve kanë qenë dhe do të mbeten në vëmendjen e tij, të qeverisë dhe të shumicës parlamentare.
“Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë”, shprehet Rama.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë e cilëson momentin aktual si një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë, duke argumentuar se dera e Bashkimit Evropian është e hapur dhe perspektiva e anëtarësimit është më konkrete se më parë.
Në këtë kontekst, Rama bëri thirrje për të mos humbur kohë me përçarje politike, konflikte dhe përplasje që, sipas tij, kanë penguar vendin të shfrytëzojë potencialin e tij.
Ai përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtive dhe ndasive në vend, duke paralajmëruar se historia nuk do ta falte Shqipërinë nëse do të humbiste këtë mundësi për shkak të konflikteve të brendshme.
“Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrsesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e xhelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj”, shkruan kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama e mbylli mesazhin me një thirrje optimiste për vijimin e rrugës evropiane të vendit: “Kokën lart dhe përpara Shqipëri”.
Reagimi i kryeministrit vjen pas prezantimit të raportit të progresit nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave, por kërkoi vijimin e reformave në fusha kyçe si sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, mbrojtja e të drejtave themelore dhe mjedisi. Komisionerja theksoi gjithashtu se objektivi i Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet ambicioz, por i arritshëm, nëse vijon zbatimi i reformave.



