back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 30 Janar, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha: Ahmetaj ekspozoi luksin e shfrenuar të birbos Rama

Berisha: Ahmetaj ekspozoi luksin e shfrenuar të birbos Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një deklarate për mediat ka komentuar denoncimet e bëra nga Arben Ahmetaj në një intervistë për SYRI TV. Sipas Berishës, ‘Arben Ahmetaj, edhe njëherë zhveshi dje lakuriq Edi Ramën si arkitekti i krimit më të madh që mund të ketë ndodhur në historinë e vendit, kanabizimit të Shqipërisë”.

Gjatë deklaratës për mediat, kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar intervistën e Arben Ahmetajt. “Ajo ç’ka ishte një dimension tjetër i shëmtuar i këtij regjimi në intervistën e Arben Ahmetajt ishte jeta e shfrenuar e luksit që Edi Rama si një birbo i pamëshirë ndaj shqiptarëve bënte vetë dhe familja e tij”, tha kreu demokrat.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë daljes për mediat nga selia blu, u shpreh se pas daljes në dritë të të dhënave të reja skandaloze për jetën luksoze dhe vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës, Belinda Balluku dhe qeveritarëve të tjerë, opozita do të organizojë një protestë kombëtare me datën 8 shkurt. Gjatë komenteve të tij për Intervistën e Ahmetajt, Berisha ju përgjigj edhe pyetjeve te gazetarëve. “Unë besoj se Arben Ahmetaj ka folur me guxim shumë të madh”, tha kreu demokrat.

I pyetur për lajmet që vijnë nga  Izraeli se në Shqipëri mund të vijnë 100 mijë palestinezë, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, Shqipëria nuk ka kapacitete për të bërë këtë gjë, pasi fillimisht nuk ka një qeveri.  

“Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet për të pritur palestinezët, e them me bindje të plotë këtë, duke pasur parasysh një eksperiencë të shkuar’, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë deklaratës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të narkoshtetit, mediave të kontrolluara prej tij, që censurojnë intervistën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, theksoj se kjo intervistë është ndër më të jashtëzakonshmet në historinë e një shteti.

Për vërtetësinë, ose faktimin e vërtetësisë të akuzave të opozitës ndaj Edi Ramës, dhe vërtetësisë së madhe me dokumente, faktimin nga ish-bashkëpunëtori më i ngushtë, numri dy për vite të tëra i qeverisë shqiptare, tashmë i përndjekur, azilant në Zvicër, Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj iu faktoi shqiptarëve edhe njëherë se Edi Rama nuk është kryeministër, por është bosi, padrinoja, kryetari i një organizate të mirëfilltë kriminale.

Dhe kudo që shkon, ai shkon dhe udhëton jo si kryeministri i Shqipërisë, por si kreu i një organizate kriminale, më e rrezikshmja në historinë e këtij vendit, të rajonit dhe Europës.

Arben Ahmetaj, edhe njëherë zhveshi dje lakuriq Edi Ramën si arkitekti i krimit më të madh që mund të ketë ndodhur në historinë e vendit, kanabizimit të Shqipërisë.

Dhe se në mbledhjen e qeverisë, kjo strategji u kundërshtua nga ai dhe 4 kolegë ministra. Mirëpo Edi Rama ishte i pandalshëm, erdhi nga krimi dhe vetëm krim mund të mbillte në këtë vend.

Arben Ahmetaj faktoi, ose u tregoi shqiptarëve se pse Erion Veliaj qarkullon i lirë pasi ka firmosur djegësin jo për Shkodrën apo për VLorën, por djegësin e Tiranës, ku është vetë kryetar bashkie.

Ai, njeriu me njohuri të plota për këtë afër, Erion Veliaj djegësin e ka firmosur me urdhër dhe presion të fortë të Edi Ramës, duke pohuar se këta të dy janë pronarë të vërtetë të një objekti që ka kushtuar 130 milionë euro dhe që nuk ekziston as në themele.

Dhe që kanë bërë përgjegjës për këtë Taulant Tushën dhe një Simixhiu, në mënyrën më qesharake dhe më amorale, dhe kanë lëshuar mandat arresti për Arben Ahmetajn që e ka kundërshtuar atë. Pesë herë ka qenë kundër tij dhe me Arben Ahmetaj zgjodhi Edi Rama të mbulojë krimin e tij të shëmtuar dhe vjedhjen e madhe me djegësat, vjedhje e cila është unike në të gjithë historinë e këtij shteti dhe këtij vendi.

Vjedhje e cila mbulohet në mënyrën më kriminale nga Altin Lala dhe organizata tjetër kriminale e Skrapit.

Jashtë çdo lloj standardi, jashtë çdo lloj kriteri, ligji apo praktike.

Arben Ahmetaj me një guxim të madh qytetar, nën presione të jashtëzakonshme të bandave nga zyrat e narkoshtetit tek burgjet e tij, u dëshmoi shqiptarëve se vjedhjet e Ramës me Belinda Ballukun vetëm me disa nga objektet, tejkalojnë dy herë dëmet e tërmetit që kaloi.

Se Edi Rama dhe Belinda Balluku i kanë trajtuar sikur të ishin private 12 miliardë euro në punëra publike që nuk kushtojnë as një të dhjetën e çmimit të tyre.

Arben Ahmetaj në autopsinë e tij ndaj regjimit, ndaj Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale, informoi shqiptarët se vetëm me dherat që i paguajnë Edi Ramës dhe Erion Veliajt kompanitë e ndërtimit, të detyruara t’i depozitojnë aty ku do Edi Rama, këta të dy hajdutë kanë fituar mbi 70 milionë euro.

Gjë e cila nuk ekziston fare në kontratën e djegësit, pra janë veças nga 130 milionë euro.

Të paimagjinueshme janë vjedhjet e Edi Ramës në AKSHI-n e tij, ku baxhanaku shpenzon 77 mijë euro dhe fiton 20-30 herë më shumë. Natyrisht me big-baxhanakun.

Ai e quan AKSHI-n kopshti privat i Edi Ramës, ku ai vjedh, ku baxhanaku i tij fiton me dhjetëra tendera, importon kompjutera të çmime të dhjetëfishta duke nxjerrë dokumente para jush qytetarë nga tatimet.

Është një monstër e vërtetë, që ka marrë dhjetëra milionë për sigurimin e mjeteve dhe së fundmi mori edhe SPAK-un e partisë për sibersigurinë.

Dhe që dy urdhra arresti që u firmosën, duket për drejtoreshën dhe baxhanakun, u grisën dhe vjedhja vazhdon pa ndërprerë.

Ajo çka ishte një dimension tjetër i shëmtuar i këtij regjimi në intervistën e Arben Ahmetajt ishte jeta e shfrenuar e luksit që Edi Rama si një birbo i pamëshirë ndaj shqiptarëve bënte vetë dhe familja e tij.

Kur kisha lexuar më parë nga një gazetar se ai me një shishe Romano Konti përpara po deklaronte këto dhe ato, të më falë gazetari, po unë e quajta këtë një dekorim nga ai, një zbukurim.

Por Arben Ahmetaj nxori dëshmi se jo një shishe, po shishet më të kushtueshme të verës që njihet si një nga tre legjendaret e verave franceze. Verë që ai vit prodhimi shkonte në 33 mijë euro.

Kur ulet pra ky në tryezë në atë restorantin e luleve në kryeministri, në një drekë kullufit 200 pensione apo 33 biftekë të Nusretit që kullifiti Belinda në Dubai.

Por që një kryeministër, iu garantoj se në botë nuk ekziston një kryeministër që mund të përdorë në institucion shtetëror, një verë të tillë. Kurrë, kurrë.

Këtë e përdor vetëm një bos mafioz, padrino, të cilit qytetarët i duken liliputë, njerëz pa asnjë vlerë, për të mos thënë inekzistentë, që nuk sheh asgjë nga hallet dhe problemet e tyre.

Jeta e shfrenuar e luksit u denoncua me fakte konkrete.

10 mijë euro të paguara nga ata të cilët i kanë ndërtuar pallatin në pajë këtij krimineli, të paguara në hotelet më të kushtueshme të Bolzanos, me emër, ku shkonte për detoksikim.

Këput kokainë ky dhe pastaj shkon të shpëtojë trupin atje.

A ka krim më të shëmtuar se ky?

Nuk janë vetëm këto. 17 çartera i ka paguar Edi Ramës një oligark për udhëtimet e tij.

Ne kemi denoncuar se vetëm me Ismailin e tij në Air Albania, në 140 udhëtime ka shpenzuar 21 milionë euro.

Arben Ahmetaj tregoi bilancet e kompanisë, për të cilën ky thoshte se më del më lirë, por në fakt Ismaili i tij i bëri gropën kompanisë, e falimentoi.

Në mënyrë të përsëritur kemi denoncuar para jush vjedhjen e tmerrshme me tunelin e Llogarasë.

Arben Ahmetaj ishte dëshmitar i pazarit në të cilin Rama-Balluku morën 50 milionë euro, duke i diktuar kompanisë turke se çfarë oferte do paraqiste dhe duke i thënë po aty, se ky këtu, ishte fjala për Gjokën, do ta japësh për 130 milionë euro. 50 milionë euro më lirë se sa ç’paguajnë taksapaguesit.

Ky është një rast super flagrant vjedhje e 5B, sepse Arben Ahmetaj futi një terminologji tjetër, 5B.

Jo më kot e kam quajtur unë Lubi Balluku se ajo përbën një hajdute të pandalshme me një etje të pashuar për të vjedhur në çdo gjë.

Nuk harroj kurrë kur si drejtore e Albkontrolit shpenzoi 220 mijë euro për zyrën e vet.

Një simbol i urryer i asaj që një grua nuk duhet të jetë kurrë. Kurrë.

Natyrisht kur vetë hap shishe 33 mijë eurosh, kur shkon në qendra detoksikimi 10 mijë euro java si person me bashkëshorten, kur shpenzon 20 milionë euro me avion taksi, kur blen një vazo 5 milionë euro sikur të ishe sheik apo sulltan, të sëmurët nuk hyjnë kund në radarin tënd, nuk mund të kesh ndjenja ti. Je aq i pashpirt. Unë nuk dua të shkoj më tutje në këtë, por Edi Rama me qëndrimin që ka mbajtur ndaj të sëmurëve në Spitalin Onkologjik ka treguar ligësinë personale më ekstreme. Që kurrë një njeri normal nuk mund ta tregonte.

Arben Ahmetaj me dokumente, bazuar në dosjet Metamorfoza, u dha shqiptarëve se 4 qarqet e mëdha janë vjedhur nga Edi Rama, por natyrisht siç thotë Lubi Balluku, nga Altin Dumani nuk na vjen e keqja. Nga Altin Lala se ai është një shërbëtor i keq i Ymer Lalës.

Pra, autopsia që i bëri mbrëmë ish-zëvendëskryeministri në ekzil, me guxim të madh pavarësisht nga kërcënimet me jetë të tij dhe të familjarëve të tij, është një thirrje për mbarë shqiptarët, çdo ditë që kalon me këtë kryekriminel, me këtë padrino dhe këtë organizatë kriminale është ndëshkim i madh për çdo qytetar shqiptar, është ndëshkim i madh për Shqipërinë.

PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugën e vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie, me datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria. Ditën e shtunë.

Për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelësh që nuk njohin asnjë normë, asnjë moral.

Që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.

Që mendon se sa më shumë vjedh, aq më shumë e votojnë.

Që mendon se sa më shumë poshtëron shqiptarët, aq më shumë e votojnë.

Që sa më shumë frikëson shqiptarët, aq më shumë e votojnë.

Shqiptarët do ngrihen në këmbë në një protestë të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë kurrë më parë.

Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë me 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë, e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë, kundër këtij regjimi, i cili i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat