Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, në Gjirin e Lalëzit.
Sipas burimeve, Spiropali ka kundërshtuar kritikat e drejtuara ndaj saj, duke deklaruar se veprimet e saj nuk kanë dëmtuar imazhin e Partisë Socialiste. Në të njëjtën kohë, ajo ka drejtuar kritika ndaj personave brenda radhëve të PS-së, të cilët, sipas saj, kanë abuzuar me pushtetin.
“Nga veprimet e mia nuk është turpëruar PS. Ka ndër ne që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të ketë deklaruar Spiropali gjatë debatit.
Përgjigjja e saj ka ardhur në një moment kur marrëdhëniet mes saj dhe kryeministrit janë përfshirë në diskutimet e brendshme të socialistëve, pas kritikave dhe mocionit të paraqitur nga ish-ministrja.
Nga ana tjetër, Rama mësohet të ketë reaguar ndaj qëndrimeve të Spiropalit, duke kundërshtuar argumentet e saj.
“Nuk i pranoj këto, parti e re, marrëveshje e re”, mësohet të ketë thënë kryeministri, duke iu referuar mocionit të paraqitur prej saj.
Gjatë përplasjes, Rama mësohet t’i jetë drejtuar gjithashtu Spiropalit me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash me gurë shtëpisë”.
Debati është zhvilluar gjatë pjesës me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare, ku janë diskutuar edhe qëndrimet kritike brenda partisë, si dhe e ardhmja politike e figurave që kanë shprehur pakënaqësi ndaj drejtimit të PS-së.



