Procesi i Vettingut ka funksionuar me bekimin e politikës. Nuk është perceptim por fakt, megjithëse është bërtitur me të madhe që në kohën kur u zgjodhën komisionerët por edhe më tej më tej gjatë procesit.
Pas përfundimit të procesit, komisionerët e shkallës së parë të Vettingut, nisën të marrin edhe shpërblimet nga politika.
Olsi Komiçi, njëri prej tyre në fillim të muajit shkurt u emërua në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Nga Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, pretendohet të bëjë “Vettingun e produkteve ushqimore”.
Por nuk mbaron me kaq. Komiçi është edhe kandidat për deputet në listat e Partisë Socialiste.
Kryeministri Edi Rama e ka futur në listën e hapur në Qarkun e Elbasanit.
Kjo vërteton se afër ka qenë politika, në Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke ngritur kështu dyshime, se janë shkarkuar dhe riemëruar subjekte që nuk i pëlqejnë politikës në pushtet.
Komiçi si ping-pong në duart e politikës
Kujtojmë se Olsi Komici, është emëruar nga kryeministri Edi Rama në Korrik 2014, si ekspert i jashtëm në grupin e punës të Task-Forcë, për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore, përmes kalimit në pronësi private dhe në përdorim të tretëve të pasurive, tokë truall, tokë bujqësore, pyje, livadhe, kullota, territor shtetëror, objekte si dhe të llojeve të tjera të pronave të paluajtshme të shtetit.
Tre vite më vonë ai ka kaluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ose në shkallën e parë të Vettingut.
Dhe pas mbarimit të këtij procesi e emërojnë në AKU.
Risjellim në vëmendje se në vitin 2021, Olsi Komici është paditur në SPAK, nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion për falsifikim dokumentesh.
Sipas Shoqatës së Avokatëve, Olsi Komici është marrë i pandehur nga prokuroria dhe ka qenë i proceduar për falsifkim dokumentesh.
“Olsi Komici ka qenë i proceduar. Ai është marrë i pandehur nga prokuroria”, thuhet mes të tjerash në padinë e Shoqatës së Avokatëve.

Komiçi është proceduar penalisht për falsifikim dokumentash dhe korrupsion (Shpërdorim Detyre) e vërtetuar me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Nr 728 datë 07.05.2010 ku Olsi Komici ka qenë i Pandehur.

