E ftuar në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun, Keda Kaceli, kandidate në Primaret e Partisë Demokratike, analizoi gjendjen aktuale të PD-së, duke u ndalur kryesisht te figura e Sali Berishës dhe nevoja për reformim të brendshëm.
Kaceli e cilësoi Sali Berishën si “misionar dhe hero të këtyre 35 viteve”, por shtoi se figura historike e tij nuk mund të mbajë peng një proces të ri drejt ringritjes së partisë.
“Nuk mund t’i mohojmë kontributet. Ai është një figurë historike. Por PD-ja duhet të reflektojë thellë dhe të hapet,” – u shpreh Kaceli.
“Statuti kërkon largimin e kryetarit pas katër humbjesh – kjo nuk mund të anashkalohet”
Duke iu referuar moshës dhe situatës juridike të zotit Berisha, Kaceli theksoi se përtej meritave historike, statuti i PD-së kërkon largimin e një kryetari pas humbjeve të përsëritura.
“Edhe nëse zgjedhjet nuk janë të ndershme, kjo nuk e zhbën përgjegjësinë e udhëheqësit për të reflektuar dhe hapur rrugë,” – tha ajo.
Kaceli hodhi poshtë idenë se PD është e boshatisur nga figura cilësore, duke theksuar se brenda partisë ka emra me integritet, profesionalizëm dhe vizion për të ndërtuar një PD moderne dhe ideologjikisht të djathtë.
“Duhet t’u krijohet hapësirë këtyre njerëzve që të marrin përgjegjësi.”
Kaceli theksoi se Partia Demokratike duhet të kalojë nga retorika në veprim konkret, me një strategji të qartë të hapjes, riorganizimit dhe përfshirjes së gjeneratave të reja në drejtim.