Një zhvillim i papritur ka goditur koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili fitoi një mandat të vetëm në zgjedhjet e 11 majit. Kandidati i listës së mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni, ka kërkuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) t’i vihet në dispozicion dokumenti i dorëheqjes që pretendohet të jetë firmosur prej tij para zgjedhjeve.
Kordhoni, i cili i përket forcës “Nisma Thurje”, ka deklaruar për Euronews Albania se nuk e kujton të ketë firmosur ndonjë dokument të tillë që parashikon dorëzimin e mandatit në rast fitoreje nga lista e mbyllur, ashtu siç ishte dakordësuar mes dy drejtuesve të koalicionit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.
“Dua të shoh se çfarë kam firmosur. Nuk më rezulton të kem firmosur një dorëheqje paraprake për të hequr dorë nga mandati,” – është shprehur Kordhoni.
Burime për Euronews Albania kanë bërë me dije se Kordhoni është një familjar i afërt i bashkëdrejtuesit të koalicionit, Endri Shabanit – konkretisht daja i tij. Kjo e bën edhe më të ndërlikuar situatën, duke ngritur pikëpyetje për koordinimin e brendshëm të koalicionit dhe zbatimin e marrëveshjeve të parazgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj ka deklaruar se nuk është i informuar për këtë zhvillim dhe se do të ketë një bisedë me Kordhonin dhe Shabanin për të sqaruar situatën.
Për momentin, nuk ka një qëndrim zyrtar nga Nisma Thurje dhe as nga Shqipëria Bëhet, ndërsa vendimi i KQZ pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e këtij mandati të vetëm, që duket se po e trondit koalicionin që doli si alternativë e re nga zgjedhjet e fundit.



