Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot në një konferencë për shtyp lidhur me situatën e kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgimin e IEVP 313 në Tiranë.
Blushi deklaroi se Metës i është penguar qëllimisht kontakti me përfaqësues politikë, familjarë dhe avokatë, duke e cilësuar këtë si një formë të izolimit politik dhe shkelje të të drejtave themelore.
“Prej më shumë se një muaji e kam të pamundur të komunikoj me Metën edhe nga kabina telefonike e IEPV, edhe pse numri im është i regjistruar. Metës i janë penguar qëllimisht takimet me deputetë, eurodeputetë, familjarë si motra dhe fëmijët, si dhe me avokatët”, tha Blushi.
Ai shtoi se gjendja është përkeqësuar sidomos pas dy lidhjeve telefonike që Meta ka pasur me gazetarë, duke akuzuar institucionet për masa represive ndaj lirisë së shprehjes.
“Rrëmbimi i Metës dhe izolimi politik i tij ka ndodhur për shkak të frikës së regjimit nga të vërtetat që Meta artikulon, edhe kur i thotë nga kabinat e burgut”, theksoi ai.
Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet për këto pretendime.