back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetFirmat e drogës marrin leje ndërtimi me firmën e Ramës/ Berisha zbardh...

Firmat e drogës marrin leje ndërtimi me firmën e Ramës/ Berisha zbardh emrat dhe lidhjet

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë publik duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur 450 leje ndërtimi për të blerë vota në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe për të pastruar para përmes ndërtimit në emër të grupeve më të rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe jashtë saj.

Sipas Berishës, vetëm në periudhën zgjedhore janë dhënë qindra leje ndërtimi, në kundërshtim me ligjin, shumica e të cilave kanë përfituar njerëz të lidhur me kartelët e drogës dhe figura të njohura të botës së krimit.

“Edi Rama bleu vota me 450 leje ndërtimi për bandat e narkotrafikut,” – deklaroi Berisha. Ai shtoi se në Durrës, Himarë, Vlorë dhe Tiranë janë shpërndarë me shumicë leje ndërtimi në favor të njerëzve të përfshirë në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe organizatat kriminale si “Hakmarrja për Drejtësi” apo edhe karteli famëkeq i Sinaloas nga Meksika.

Rastet kryesore të denoncuara nga Berisha

Palasa (Himarë): Leje për kompleks hotelerie dhënë për “Valona Konstruksion” të Besnik Lulajt, i lidhur sipas akuzave me Luftim Hysën dhe kartelin Sinaloa.

Vlora: Leje ndërtimi për “Feniks Konstruksion”, në pronësi të familjes Shyti, e lidhur me organizatën terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.
Jaho Shyti, themeluesi zyrtar i kompanisë, rezulton me dokumente të falsifikuara dhe me lidhje të drejtpërdrejta me aktivitet kriminal.

Tiranë: Leje për kompani të lidhura me Anton Gjinajn, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, dhe Fejzo Zekaj, me pasuri të sekuestruara në Itali.

Dhërmi: Kompani të ndryshme, mes tyre “Capital B” dhe “Artech Group”, të lidhura me emra publikë si Redjan Basha, bashkëshorti i një zyrtare të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe familja Habilaj.

Durrës: Kompani ndërtimi si “Eldemar Construction”, në pronësi të njerëzve të përfshirë në trafikun e kokainës, që kanë përfituar leje në prag të zgjedhjeve.

Sipas Berishës, dhënia e këtyre lejeve është firmosur nga drejtoresha e urbanistikës Adelajda Rroko, motra e dy eksponentëve të njohur të kartelit Çela, ndërsa përgjegjësinë politike e mban vetë Rama.

“Vetëm analiza e këtyre 450 lejeve përkthehet në të paktën 12 ton kokainë të pastruar, 10 ton heroinë dhe dhjetëra tonelata kanabis,” – u shpreh Berisha. Ai e cilësoi këtë si “narkotizim të plotë të ekonomisë shqiptare”.

Ky denoncim vjen në një kohë kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) është nën presion për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin e organizuar. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga kryeministri Rama apo nga SPAK për këto akuza të përsëritura.

Berisha ka theksuar se do të publikojë çdo dokument për secilën leje që mban firmën e qeverisë dhe do t’i dërgojë ato institucioneve ndërkombëtare dhe partive europiane.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat