back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Laptopi i Lubisë”/ Berisha akuzon Ballukun për patronazhim dhe fushatë punësimesh

“Laptopi i Lubisë”/ Berisha akuzon Ballukun për patronazhim dhe fushatë punësimesh

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot me akuza të reja ndaj qeverisë dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, të cilën e akuzon për “kriminalizim elektoral të administratës publike” në qarkun e Fierit gjatë fushatave zgjedhore.

Në një dalje publike, Berisha tha se në duart e tij ndodhet “laptopi i Lubisë”, një material që, sipas tij, përmban të dhëna sensitive dhe emra konkretë punonjësish të institucioneve publike, që janë përdorur në mënyrë të organizuar për qëllime politike dhe elektorale.

 Çfarë përmban “laptopi”?
Sipas Berishës, në këtë material figurojnë lista me qindra punonjës të administratës, institucioneve të pavarura, ndërmarrjeve publike dhe strukturave të rendit, të cilët janë përdorur si “patronazhistë” dhe “mercenarë elektoralë” gjatë zgjedhjeve në Fier.

“Shikoni se si edhe sanitarë mund të gjeni këtu, se si Lubi Balluku në mënyrë kriminale e shndërroi të gjithë administratën shtetërore në Fier në polici politike,” – tha Berisha, duke lexuar pozicione pune nga dokumentet që pretendon se i përkasin këtij laptopi.

Ai përmendi pozicione si “laborantë, sanitarë, punonjës në burgje, grafik dizajnerë” që sipas tij janë listuar me kërkesa punësimi në këmbim të votës.

Fushata si “skemë punësimesh”
Në deklaratën e tij, Berisha tha se dokumentet zbulojnë një “fushatë punësimesh të kushtëzuara me vota”, ku qytetarëve u premtohej vend pune në institucione publike, çerdhe, kopshte, apo pastrim gjelbërimi, në këmbim të mbështetjes elektorale për PS.

“Është anëtar i një fisi me 21 votues. I është premtuar punë në çerdhe. Kërkon roje në bashki. Kërkon sanitare. Janë me qindra. Me mijëra,” – theksoi Berisha.

Ai shtoi se materiali përmban edhe referenca për institucione si burgjet, të cilat i cilësoi “të politizuara deri në thelb”.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Partia Socialiste, nuk kanë reaguar zyrtarisht për akuzat e ngritura nga Berisha dhe për ekzistencën e ashtuquajturit “laptop i Lubisë”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat