Ish-deputetja demokrate Flutura Açka ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që la jashtë Kuvendit Adriatik Lapajn, duke i dhënë mandatin Ana Dajkos.
Në një postim në rrjete sociale, Açka u shpreh se nuk është Lapaj ai që ka humbur, por se fitues është “sistemi”, i cili sipas saj po i përpin ngadalë të gjithë qytetarët.
“Guak, guak, edhe pak. Nuk ka humbur Adriatiku, por ka fituar Sistemi, dhe kjo duhet t’ju shqetësojë. Se ose ju ka ngrënë, ose po ju afrohet për t’ju ngrënë ngadalë”, shkruan Açka.
Duke përdorur një metaforë për “zhabat e gjolit që ngrohen bashkë me ujin pa e kuptuar”, Açka shtoi se sistemi po i zbut qytetarët deri në pikën që nuk do të kenë më fuqi të reagojnë.
“U shqytë duke përqeshur se si sistemi ia hodhi Adriatikut, kur të gjithë e dimë që mandati është i tij, por iu mohua me mbërthecka ligjore. Mos qeshni Adriatikun, por qani veten se nuk ka kush të brengoset për ju në Parlament. Jemi për të qarë, jo për të qeshur nëpër statuse!”, përfundoi ajo.