back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 29 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetSekretet e CEZ-DIA-s/ Rrjeti i offshore-ve dhe dëshmitë që çojnë tek Meta

Sekretet e CEZ-DIA-s/ Rrjeti i offshore-ve dhe dëshmitë që çojnë tek Meta

Etleva Skonja

Marrëveshja e vitit 2010 mes kompanisë çeke CEZ dhe shoqërisë shqiptare DIA (Debt International Advisory), e drejtuar nga biznesmeni Katriot Ismailaj, dyshohet se ka qenë produkt i korrupsionit të nivelit të lartë politik. Prokuroria e Posaçme (SPAK) tashmë ka marrë dëshmitë kyçe që hedhin dritë mbi përfshirjen e ish-Presidentit dhe liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Si nisi afera CEZ-DIA?

Në vitin 2009, qeveria shqiptare privatizoi OSHEE-në, duke ia shitur 76% të aksioneve kompanisë çeke CEZ Shpërndarje. Pas marrjes së kontrollit, CEZ hasi menjëherë probleme në mbledhjen e faturave të energjisë elektrike dhe vendosi të kontraktojë një ndërmjetës për arkëtimin e borxheve. Pikërisht këtu hyn në skenë DIA, kompania e Ismailajt, e cila u përzgjodh përmes një marrëveshjeje të dyshimtë, që do t’i siguronte miliona euro.

Roli i Ilir Metës sipas dëshmive

SPAK ka marrë në pyetje disa nga dëshmitarët kryesorë dhe ka sekuestruar dokumente nga periudha e qeverisjes 2009-2013, kur Meta ishte ministër i Jashtëm dhe zv/kryeministër. Prokuroria po përqendrohet tek mënyra se si u lobua për përzgjedhjen e DIA-s dhe nëse Ilir Meta përfitoi financiarisht ose politikisht nga kjo aferë.

Hetimi vështirësohet nga fakti se kontratat dhe pagesat janë kryer përmes kompanive offshore, duke e bërë të vështirë gjurmimin e fluksit të parave. Megjithatë, dëshmitë verbale po e ngushtojnë rrethin ndaj ish-Presidentit.

 Burime brenda SPAK konfirmojnë se katër dëshmi të mbledhura deri më tani e vendosin Metën në qendër të skemës.

Jozef Hejsek, ish-drejtues i CEZ, ka deklaruar para hetuesve se “ishte vetë Ilir Meta ai që rekomandoi Kastriot Ismailajn dhe DIA-n” si kompani të besueshme për arkëtimin e borxheve. Ky pohim e lidh drejtpërdrejt Metën me përzgjedhjen e DIA-s.

Elvis Mataj, një figurë e afërt me Metën dhe i përfshirë në menaxhimin e DIA-s, ka dhënë dëshmi komprometuese që konfirmojnë ndikimin e ish-Presidentit në marrëveshje.

Vojsava Ismailaj, bashkëshortja e biznesmenit Kastriot Ismailaj, ka pohuar se Meta ushtronte presion dhe ndikim mbi operacionet e DIA-s, duke kërkuar favore në shkëmbim të mbrojtjes politike.

Katriot Ismailaj, sot i dënuar për mashtrim financiar, është marrë në pyetje në burg nga kreu i SPAK. Ai pritet të jetë një nga dëshmitarët më të rëndësishëm, pasi ka qenë vetë nënshkruesi i marrëveshjeve me CEZ-in.

DIA, nga kontrata tek skandali

Kontrata midis CEZ dhe DIA, që fillimisht parashikonte pagesa prej miliona eurosh për “konsulencë”, rezultoi një dështim. CEZ akuzoi DIA-n për mosmbajtje të premtimeve dhe ndërprerja e marrëveshjes përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar.

Shqipëria pagoi mbi 500 milionë euro për të zgjidhur konfliktin me çekët, ndërsa DIA fitoi mbi 5 milionë euro nga kontrata.

Çështja CEZ-DIA është simbol i korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Ajo lidhet me privatizimin më të madh të pasurisë publike dhe me humbjet financiare që ende paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Nëse dëshmitë aktuale çojnë në ngritje akuzash ndaj Metës, kjo do të shënonte një nga rastet e para kur një ish-President përballet me drejtësinë për një aferë financiare të përmasave kaq të mëdha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat