back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuSportiNga bronzi europian tek Botërori/ Esmeralda Novruzaj vendos Shqipërinë në hartën e...

Nga bronzi europian tek Botërori/ Esmeralda Novruzaj vendos Shqipërinë në hartën e boksit botëror

Shqipëria do të shkruajë një faqe të re në historinë e sportit falë një vajze të re nga Radhima. Esmeralda Novruzaj, vetëm 23 vjeçe, do të përfaqësojë vendin tonë në Kampionatin Botëror të Boksit që do të zhvillohet në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, nga 4 deri më 14 shtator 2025.

Ky është një moment historik jo vetëm për karrierën e saj, por edhe për sportin shqiptar, pasi Novruzaj do të jetë vajza e parë në historinë e Shqipërisë që garon në një Kampionat Botëror në boks. Ajo do të udhëtojë drejt Anglisë e shoqëruar nga trajneri i saj, Sead Bushati, ndërkohë që përfaqëson edhe krenarinë e të qenit e vetmja vajzë në ekipin kombëtar olimpik të boksit.

Rruga e saj drejt këtij suksesi nuk ka qenë e lehtë, por arritjet e saj flasin shumë. Vitin e kaluar, Esmeralda fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Europian U23 të zhvilluar në Sofje, Bullgari, duke u ngjitur mes më të mirave të kontinentit.

Ky sukses ishte jo vetëm personal, por edhe një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila gjithnjë e më shumë po bën vend në arenën ndërkombëtare të sporteve të kontaktit. Përveç kësaj, ajo është edhe kampione kombëtare në boks, një titull që e mban me krenari.

Në një deklaratë të saj, Novruzaj shprehu emocionet për këtë hap të madh në karrierë:
“Jam vajza e parë shqiptare që do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror në boks. Ky është një moment historik për sportin shqiptar dhe një ëndërr e madhe për mua. Do të përfaqësoj me krenari Shqipërinë dhe shpresoj që të frymëzoj edhe shumë vajza të tjera që të ndjekin rrugën e sportit.”

Pjesëmarrja e saj vjen në një kohë kur boksit shqiptar i nevojitet vizibilitet dhe mbështetje më e madhe. Suksesi i Novruzajt shihet si një ogur i mirë për zhvillimin e këtij sporti dhe një shpresë që edhe femrat të marrin më shumë hapësirë në skenën sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në shtator, sytë e sportdashësve shqiptarë do të jenë nga Liverpooli, aty ku Esmeralda Novruzaj do të mbajë mbi supe jo vetëm dorëzat e saj, por edhe ëndrrat dhe krenarinë e një kombi të tërë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat