Ish-kryeministri Sali Berisha la të hapur mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, duke theksuar se çdo vendim do të merret bashkë me strukturat e Partisë Demokratike.
“Vendimet do bëhen të ditura. Me Ramën nuk ka kurrë zgjedhje të lira. Ka dy taktika, edhe ajo është një taktikë. Në përpjekjen e betejës, bojkoti është një armë, është një formë, por ndoshta forma më e lehtë,” tha Berisha para gazetarëve.
Në të njëjtën kohë, ai sulmoi kandidaturën e Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës, duke e quajtur pjesë të një skenari diversionist të kryeministrit Rama.
“Rama, për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në Kuvendin e drogës, nxori përsëri nga qelia Veliajn. Do të tërheqë mediat me problemet e bashkisë së Tiranës dhe përmallimin madh të Ogertës. U shkri në dënesë Ogerta kur mori vesh lajmin se do të kandidohet. Janë shashka për mediat dhe për opozitën,” u shpreh Berisha.