Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka komentuar kaosin e opozitës në seancën e djeshme të Kuvendit, ku u miratua programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave.
Alizoti theksoi se demokratët duhet të ndryshojnë strategjinë, duke u përqendruar te komunikimi dhe te afrimi i grupeve të pakënaqura me PD, si ish-pronarët, dhe jo tek veprime simbolike brenda sallës parlamentare.
“Duhet të ketë vijë politike, është konservatore apo jo. Nuk mund të merren vendime tani, mërzitet BE-ja apo jo. Duhet të afrojë ish-pronarët që janë të mërzitur me PD. Duhet të bëjë plane me figurat e saj dhe t’u japë mikrofonin, siç bënte Charlie Kirk në SHBA,” tha Alizoti.
Sipas tij, opozita duhet të kuptojë se forca e saj nuk qëndron tek skenat në Kuvend, por tek aftësia për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët.
“Rama sot komunikon non stop nëpërmjet medieve të veta, qindra portaleve, televizioneve. Ne nuk e kemi këtë mundësi, por duhet të komunikojmë bio me njerëzit, sepse komunikimi është forca finale. Pa këto etapa politike e racionale, grisjet e fletëve në parlament nuk kanë asnjë lloj peshe,” u shpreh deputeti demokrat.
Ai shtoi se mungesa e zgjidhjeve për problemet bazike e bën edhe më të largët ëndrrën europiane për Shqipërinë. “Është Tirana kryeqytet për në BE? Jo, për një arsye: është i vetmi kryeqytet që kërkon të hyjë në Europë që nuk ka ujë. Nëse nuk ke ujë në një kryeqytet, nuk ke asgjë. Uji është baza,” tha Alizoti.



