Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dhënë tre masa sigurie për tre shtetas të dyshuar për krijimin e skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehjen e të ardhurave dhe falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve.
I.A. – Arrest në burg
E.Gj. – Detyrim paraqitje
M.L. – Detyrim paraqitje
Hetimet, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik pranë Policisë Tiranë, zbuluan se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb” kanë kryer shitje fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion” me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh, duke gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në 108,004,122 lekë.
Subjekti “5D Konstruksion” dyshohet se ka rritur artificialisht shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke përdorur faturat fiktive të lëshuara nga I.A., E.Gj. dhe M.L. Kjo skemë ka synuar përfitime tatimore të padrejta dhe përvetësimin e fondeve publike përmes deklarimeve të rreme në raportet financiare të tenderëve.
Veprimet e zbuluara përbëjnë elementët e veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, në bashkëpunim, sipas nenit 144/a dhe nenit 25 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare.



