back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 21 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaEuro bie në rekord historik/ Sejko: Leku po forcohet nga rritja e...

Euro bie në rekord historik/ Sejko: Leku po forcohet nga rritja e ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot para Kuvendit se përmirësimi i bilancit të jashtëm të ekonomisë ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në forcimin e Lekut dhe rritjen e stabilitetit financiar të vendit.

Në raportimin e tij vjetor, Sejko theksoi se pozicioni i jashtëm i ekonomisë shqiptare është konsoliduar, falë rritjes së eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.

“Gjatë vitit 2024, eksportet totale arritën në 9.1 miliardë euro, me një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2023, të nxitura kryesisht nga të ardhurat e turizmit që kapën vlerën e 5 miliardë eurove. Remitancat arritën 1 miliard euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte u rritën në 1.6 miliard euro,” – deklaroi Sejko.

Sipas tij, këto zhvillime kanë sjellë përmirësim të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, ulje të deficitit të llogarisë korrente dhe forcim të kursit të këmbimit.

Në këtë kuadër, borxhi i jashtëm ra në 40.6% të PBB-së, ndërsa rezervat valutore arritën pranë nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar garanci të shtuar për stabilitetin financiar të vendit.

Euro në minimum historik

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit euro-lek gjatë vitit 2024 ishte 100.71 lekë, në rënie me 7.4% krahasuar me vitin paraardhës. Ky është viti i katërt radhazi që euro humbet terren ndaj monedhës vendase.

Sejko theksoi se edhe pozicioni fiskal i vendit është përmirësuar, me deficitin buxhetor në 0.7% të PBB-së dhe borxhin publik në 53.8%, ndërkohë që sistemi bankar ka rritur qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të financuar ekonominë me kredi më të lira dhe të qëndrueshme.

“Pas fazës së normalizimit gjatë viteve 2022–2023, politika monetare u bë më akomoduese në vitin 2024 dhe 2025. Ne ulëm normën bazë të interesit nga 3.25% në 2.5%, ndërkohë që ndërmorëm blerje të valutës në treg për të frenuar ritmet e forcimit të Lekut dhe për të ruajtur ekuilibrin financiar,” – tha Guvernatori.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka tërhequr 914 milionë euro nga tregu vendas gjatë vitit 2024 dhe ka vijuar me ritme të ngjashme edhe në vitin 2025.

Kredi më të lira dhe më shumë fonde për ekonominë

Sejko nënvizoi se këto masa kanë përmirësuar kushtet e financimit për familjet dhe bizneset, duke sjellë rritje të ndjeshme të kreditimit.
Në fund të vitit 2024, kredia për sektorin privat u rrit me 15.7%, ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2025 – me 14%, mbështetur në mënyrë të qëndrueshme nga bankat.

“Këto zhvillime kanë ndihmuar në rritjen e konsumit dhe investimeve, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar,” – përfundoi Sejko.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat