Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, Kryeinspektorja e IKMT-së Dallëndyshe Bici, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Blendi Sulaj, si dhe përfaqësues të IMT-së dhe IKMT-së, inspektuan këtë të hënë në Farkë aksionin për bllokimin e disa objekteve të ndërtuara në shkelje të lejeve të ndërtimit.
Pas inspektimeve në terren dhe vëzhgimeve ajrore me dron, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IMT-në dhe IKMT-në, konstatoi një sërë shkeljesh që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Në deklaratën e saj për mediat, Ministrja Koçiu theksoi se ky operacion është pjesë e një procesi më të gjerë që ka nisur prej muajsh për lirimin e hapësirave publike dhe do të pasohet nga një aksion kombëtar kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin.
“Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor. Ajo ka për qëllim të garantojë zbatimin e ligjit dhe vendosjen e sanksioneve konkrete ndaj çdo abuzimi,” tha Koçiu.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që kërkojnë të blejnë prona të reja, të verifikojnë me kujdes statusin ligjor të tyre dhe të njoftojnë autoritetet për çdo parregullsi apo shkelje që mund të konstatojnë.
“Ky është një aksion që do të vazhdojë deri në fund për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike,” shtoi ministrja.
Koçiu nënvizoi se aksioni synon të vendosë rend dhe rregull në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm urban.
“Askush që ka një leje ndërtimi nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më shumë se sa i takon. Çdo ndërtim përtej lejes do të ndëshkohet dhe çdo hapësirë e zaptuar padrejtësisht do t’i kthehet shtetit,” përfundoi Ministrja e Brendshme.



                                    