Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ka kërkuar dënimin me 23 vite burg për Ilir Beqarajn, i dyshuar si një prej autorëve të vrasjes së Gentian Bejtjas, e ndodhur më 15 mars 2024 në banesën e viktimës.
Beqaraj akuzohet për rolin e ndihmësit në atentat dhe për veprat penale:
“Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim;
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave të falsifikuara”.
Sipas hetimeve, persona të armatosur hyrën në oborrin e Bejtjas në Larush, Fushë Krujë, dhe qëlluan disa herë mbi të, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pak minuta më pas, një automjet tip Land Rover, i përdorur nga autorët, u gjet i djegur në fshatin Hasan, Fushë Krujë.
Provat e administruara përfshijnë:
GPS e automjeteve, që tregonte lëvizjet e Beqarajt pranë vendngjarjes;
Profil gjenetik në automjetin Volkswagen Golf, që lidhet me Beqarajn dhe të tjerë të arrestuar për ngjarjen.
Prokuroria kërkon që Beqaraj të shpallet fajtor dhe të dënohet:
21 vite për vrasjen me paramendim në bashkëpunim;
2 vite për mbajtje pa leje të armëve;
1 vit për falsifikim dokumentesh.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimet kërkohen të bashkohen në një dënim të vetëm prej 23 vitesh burg.



