back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 29 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaNga Vettingu në kompaninë e kanabisit/ E shkarkuara nga KLD, kandidon për...

Nga Vettingu në kompaninë e kanabisit/ E shkarkuara nga KLD, kandidon për gjyqtare kushtetuese

Etleva Skonja

Alma Faskaj Vokopola është një nga kandidatët për t’u zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese, një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare.

Faskaj Vokopola ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke shërbyer si gjyqtare, pedagoge dhe më pas si komisionere e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vetingut). Megjithatë, kjo karrierë nuk ka qenë pa polemika. Ajo u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1996 për shkelje të ligjit dhe paaftësi, një fakt i rëndë për një profesionist, që duket se nuk është reflektuar në aplikimin e saj për Komisionin e Vetingut.

Për më tepër, Faskaj Vokopola është kallëzuar penalisht në SPAK nga gjyqtarja Hajrie Muçmata, e shkarkuar nga detyra për probleme me pasurinë.

Në kallëzimin e saj, Muçmata pretendon se Faskaj ka fshehur shkarkimin e saj për paaftësi dhe shkelje ligji, në dokumentet e kandidimit për t’u bërë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sipas padisë, ky fshehje e vendos Faskaj Vokopola jo vetëm jashtë kushteve të ligjshme për të qenë anëtare e KPK-së, por gjithashtu mund të përbëjë veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. Kallëzimi shton një dimension të rëndësishëm kritik për kandidaturën e saj dhe besueshmërinë e procesit të emërimeve në institucionet e drejtësisë.

Përveç historikut profesional dhe sfidave ligjore, Faskaj Vokopola ka lidhje edhe me kompaninë shtetërore Albtrace Co, që do të menaxhojë kultivimin e kanabisit për qëllime industriale dhe mjekësore.

Ajo është renditur mes anëtarëve të bordit, një vend që duket se i është siguruar me përkujdesjen e qeverisë, ndërsa disa ish-pjesëtarë të strukturave të saj në Vetting janë angazhuar gjithashtu. Kjo ka ngritur shqetësime për transparencën dhe perceptimin e “rrjeteve të besnikëve” brenda institucioneve shtetërore.

Renditja e Faskaj Vokopola në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) e ka futur ndër kandidatët për vendin vakant në Kushtetuese, por sfida mbetet ruajtja e pavarësisë së institucioneve dhe perceptimi i publikut mbi integritetin e saj. Vendimi përfundimtar për emërimin e saj do të jetë një test për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, duke treguar se si balancohet eksperienca profesionale, integriteti dhe neutraliteti në një nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat